Lidhje

Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane festoi 60-vjetorin e themelimit të saj


Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane (AANO) festoi në Tiranë 60-vjetorin e themelimit të saj me një seri veprimtarish në të gjithë Shqipërinë. Shumica e pjesëmarrësve kishin ardhur familjarisht dhe e vizituan Shqipërinë për herë të parë.

Ata vizituan Krujën dhe Korcën, Durrësin dhe Sarandën, Butrintin, Lezhën dhe qytete të tjera, duke marrë me vete edhe një numër të madh, rreth 30 fëmijë të tyre në mosha nga më të ndryshmet në mënyrë që të mësojnë më shumë rreth Shqipërisë. Në një nga mbrëmjet e tyre ishte i ftuar edhe presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, i cili foli mbi përpjekjet e Shqipërisë për t'u integruar në institucionet euro-atlantike.

"Shqiptarët janë ndër banorët më të vjetër të Europës, pjesë e pandarë e kulturës, traditës dhe historisë së saj politike, ndaj edhe bashkimi politik me të do të jetë një kthim në familje. Të tillë simbolikë ka edhe vendimi historik që pritet të merret këtë vit me njohjen e pavarësisë së Kosovës, akt që do të forcojë paqen në rajon" - tha zoti Moisiu.

Janë afro 500 pjestarë të kësaj organizate nga bashkësia shqiptare në SHBA dhe Kanada, të cilët e vizituan Shqipërinë për një javë, duke u njohur jo vetëm me kapacitetet turistike dhe qytetet më të mëdha prej nga kanë origjinën, por edhe me mundësitë për të investuar në atdheun e tyre. Mes shumë veprimtarish të tjera ata organizuan të shtunën edhe një konferencë mbi investimet e huaja në Shqipëri.

Drejtori i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjeve, Xhefri Grifin, u tregoi atyre se si filloi puna me Bankën Amerikane të Shqipërisë, rindërtimi i Aeroportit të Rinasit dhe mundësitë e mëdha që ofron ky vend për investime.

"Ju keni mundësi dhe avantazhe që të investoni në këtë vend - tha zoti Grifin - sepse keni prejardhjen, gjuhën shqipe, njohjet me njerëzit. Por ju duhet të qëndroni më shumë kohë këtu. Investimi në Shqipëri nuk mund të bëhet duke ardhur një javë në vit dhe duke kërkuar ndonjë partner e për të ikur sërish. Këtu cdo javë ndodh dicka dhe ligjet ndryshojnë, dhe ju duhet të jeni këtu që të flisni me njerëzit." - përfundoi ai.

Në ditën e fundit të qëndrimit në Shqipëri, veprimtarët e Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane, pasi mblodhën fonde për shkollimin e të rinjve, do të zgjedhin edhe kryesinë e re. Përshtypjet e tyre nga ky udhëtim në Shqipëri ishin mjaft të mira, dhe të gjithë shpresojnë se do ta vizitojnë më shpesh vendin e tyre që po zhvillhet, me plane për të investuar dhe me besimin se edhe këtu gjërat po ndryshojnë për mirë.

XS
SM
MD
LG