Lidhje

Haziri: Nëse Beogradi nuk bashkëpunon për decentralizimin, procesi duhet të imponohet


Kryetari i delegacionit të Kosovës për decentralizimin la të kuptohej sot pas raundit të shtatë të bisedimeve për këtë temë në Vienë, se nëse Beogradi nuk bindet të jetë konstruktiv, ky proces duhet të imponohet. Lutfi Haziri tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se plani për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës brenda vitit duhet të ecë përpara sipas parashikimve dhe çështjet e pazgjidhura mund të bëhen pjesë e paketës së bisedimeve për statusin mes delegacioneve qendrore.

Zëri i Amerikës: Zoti Haziri çfarë rezultati doli nga takimi i sotëm?

Lutfi Haziri: Sot ka vazhduar raundi i nëntë i bisedimeve dhe i shtati përsa përket reformës së pushtetit lokal dhe decentralizimit, i cili ka qenë i fokusuar në temat që ju përmendët. Ne kemi paraqitur dhe konfirmuar qëndrimin e delegacionit të Kosovës përsa i përket të drejtave të komunave në ushtrimin e detyrave dhe kompetencave komunale dhe kemi siguruar komunitetet pakicë se ato mund të përdorin të drejtën e vet që në pushtetin lokal të vendosin përsa i përket çështjeve të arsimit, shëndetësisë dhe të drejtave të tjera komunale.

Realisht qëndrimi ynë është shumë afër propozimit të zotit Ahtisaari i cili sot në takimin e mëngjesit konfirmoi edhe një herë se delegacioni ynë është kooperativ, është konstruktiv në propozime të drejtpërdrejta, por dallimet me Serbinë kanë të bëjnë kryesisht me parime të procesit të cilat edhe më tutje mbesin si të tilla në disa fusha që mbulojnë pushtetin lokal që realisht nuk mund të reflektojnë të drejtën e komuniteteve në pushtet lokal, sepse eliminon çdo formë të funksionalitetit dhe funksionimit të komunave dhe të pushtetit vendor në Kosovë, duke krijuar bllokim institucional dhe duke tentuar vazhdimisht që të krijohet niveli i tretë i cili është i papruanueshëm edhe për ne, edhe për misionin e zotit Ahtisaari këtu në Vjenë.

Praktikisht ka pasur lëvizje sot mund të them premtuese nga ana e delegacionit tonë duke dashur të paraqesim edhe një angazhin serioz për të përfunduar këtë axhendë, ndërsa nga pala tjetër kemi edhe më tutje strategjinë e vonimit të procesit dhe kërkesave shtesë që janë të paarsyeshme dhe të paqendrueshme.

Zëri i Amerikës: Atëherë a mund të thuhet që marrëveshja për decentralizimin është e pamundur, sepse qëndrimi i palës shqiptare ka qenë i njohur dhe në fakt dilema ishte për qendrimin e palës serbe?

Lutfi Haziri: Keni të drejtë. Përkundër premtimeve të vazhdueshme delegacioni i Serbisë nuk ka lëvizur nga pozita. Ka ndryshuar fjalori, ka ndryshuar strategjia e bisedave, por janë pozita të njëjta, janë pozita të njëjta duke krijuar ndarjen e etnive, duke kërkuar ndarjen e komuniteteve në Kosovë dhe krijimin në rrafsh të drejtë të pushtetit i cili është i papranueshëm, sepse krijon ambicje të kontrollit territorial më shumë sesa të drejta politike për komunitetet për të cilat ne jemi të angazhuar. Ne shpresojmë që në të ardhmen do të arrijnë të tejkalohen dhe gjithashtu jemi pajtuar për axhendën për problemet që duhet të trajtojmë gjatë këtij muaji dhe në fillim të muajit shtator dhe shpresojmë që të jetë një angazhim më i madh i UNOSEK-ut (Zyra e të Dërguarit të Posaçëm të OKB-së për Kosovën) drejt Beogradit i cili duhet të lëvizë nga pozitat sepse në të kundërtën nuk mund të arrihet asnjë përparim në këtë raport.

Zëri i Amerikës: A u prek çështja e Mitrovicës në bisedimet e sotme?

Lutfi Haziri: Jo nuk ka qenë pjesë e axhendës, sikurse nuk ka qenë pjesë e axhendës as komunat e reja. Ajo do të jetë në punën tonë diku në fillim të muajit shtator. Delegacioni i Kosovës e ka një propozim: formulën një qytet, dy komuna, të cilën do ta diskutojmë edhe në detaje të tjera përsa i përket detyrave të Bordit Mbikqyrës, apo Bordit të Udhëheqësve të Qytetit, ndërsa për pjesën tjetër të punës ne e kemi paraqitur një platformë tonën në emër të delegacionit të Kosovës i cili është mjaft i qëndrueshëm dhe integrues.

Zëri i Amerikës: Pra mund të themi se pritet të realizohet një raund tjetër për decentralizimin me shpresën se mund të ndryshojë diçka?

Lutfi Haziri: Ajo që është e sigurt është se takimi do të mbahet në fund të këtij muaji dhe në javën tjetër do të diskutohet në nivel ekspertësh çështja e financave lokale dhe po ashtu është paralajmëruar edhe një takim në fillim të shtatorit. Kjo është axhenda në të cilën ne jemi të sigurt që do të punojmë me një angazhim serioz siç e kemi pasur deri tani, por nuk jemi të sigurtë që Beogradi do të lëvizë nga pozicioni dhe do të vazhdojë me abstraksionet në këtë proces që është i rëndësishëm të përfundojë sa më shpejt sepse realisht po shihet gjithnjë e më shumë se kërkesat shtesë që vijnë nga Serbia kanë të bëjnë vetëm me shtyrjen e procesit.

Zëri i Amerikës: Duke pasur parasysh gjendjen e krijuar dhe raundin e sotëm, a do të thotë kjo se që zgjidhja më realiste do të ishte që plani i decentralizmit t'u jepet paleve nga OKB-ja, pra të jetë si të thuash një zgjidhje e imponuar per decentralizimin? Cili është mendimi juaj, a po shkohet drejt një gjëje të tillë?

Lutfi Haziri: Unë nuk besoj që edhe më tutje ka vendim që të jetë procesi i imponuar, sepse po punohet që realisht të vendosen parime të shëndosha. Nëse kemi parasysh se parimet e procesit të decentralizimit janë deri tani vetëm për Beogradin të papranueshëm, atëherë duhet të detyrohet së paku pala serbe ose të punojë me një konstruktivitet, ose të detyrohet si proces. Unë mund t’ju them lirisht se nga eksperienca e bisedave gjatë këtyre muajve që prej shkurtit e deri tani mund të them lirisht se ajo që duhet të ndodhë, duhet të ndodhë, përshpejtimi dhe mbajtja e premtimit që procesi i statusit final të zgjidhet brenda këtij viti, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe pjesë të tjera që kanë qenë në diskutim, ose të diskutuara deri tani duhet të jenë pako e statusit final e cila mund të finalizohet përmes delegacioneve qendrore të dy vendeve.

XS
SM
MD
LG