Lidhje

UNMIK-u shton masat e sigurisë në kufirin verior ndërmjet Kosovës dhe Serbisë


Autoritetet e policisë ndërkombëtare në Kosovë, thanë sot se janë shtuar masat në kufijtë verior të Kosovës me Serbinë në funksion të shtimit të sigurisë në këtë rajon. Këto veprime janë pjesë e masave që janë ndërmarrë kohëve të fundit për të shtuar praninë e forcave të rendit në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe. Ushtruesi i detyrës së komisionerit të policisë së Kombeve të Bashkuara Wayne Hissong, tha se pjesëtarë të policisë ndërkombëtare do të shtojnë praninë ne vendkalimet kufitare për të ndihmuar përmirësimin e marrëdhënieve të policisë me qytetarët si dhe luftën kundër veprimtarive kriminale.

Ai tha se shtimi i masave të sigurisë ka pasuar kërkesat e shefave të komunave veriore.

“Sipas kërkesave ne kemi shtuar praninë e policëve ndërkombëtarë numri I të cilëve arrin në 500 në rajonin e Mitrovicës”, tha ai, duke shtuar se programi synon që qytetarëve t'u krijohet mundësia e lëvizjes së lirë dhe jetës së sigurt.

Këto veprime nuk janë pasojë e ekzistimit të strukturave paralele në këtë pjesë të Kosovë tha zoti Hissong, sipas të cilit të gjithë e dinë se struktura të tilla në Kosovë ekzistojnë.

Në fillim të verës kanë ndodhur disa incidente të pasqaruara të cilat nga udhëheqësit politikë serbë janë cilësuar etnikisht të motivuara. Shefat e komunave veriore të banuara me shumicë serbe kanë vendosur të presin marrëdhëniet me institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes, ndërsa kanë kritikuar organet e rendit se nuk po bëjnë sa duhet për të mbrojtur pakicën kombëtare serbe. Autoritetet thonë se nuk duhet ngutur me vlerësime, sepse siç u shpreh zëdhënësi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Neeraj Singh kriminelët nuk duhet të kualifikohen sipas përkatësisë etnike, dhe nuk duhet spekuluar.

“Spekulimet e tilla përfundimisht janë kundër produktive për të gjithë”, tha ai duke bërë thirrje për përmbajtje nga to.

Afrimi i fundit të procesit të bisedimeve për statusin e Kosovës ka shtuar shqetësimet për tensione posaçërisht në veriun e banuar me serbë, të cilët kundërshtojnë synimet shqiptare për pavarësinë e Kosovës. Javën e kaluar Grupi i Kontaktit përsëriti qëndrimin se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, ndërsa bëri thirrje për një zgjidhje paqësore të situatës në këtë zonë. Tensionet janë më të thella në qytetin e Mitrovicës që është i ndarë në dy pjesë në veriun e banuar me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare. Prishtina zyrtare ka propozuar krijimin e dy komunave të veçanta në këtë qytet që do të mbikëqyreshin nga një administratë e përbashkët ndërkombëtare për një kohë të caktuar, por kjo është kundërshtuar nga serbët e Kosovës dhe nga Beogradi.

XS
SM
MD
LG