Lidhje

Ndikimi i humbjes së senatorit Liberman në zgjedhjet e Partisë Demokrate në shtetin e tij


Vetëm 6 vjet më parë Xho Liberman kandidoi për postin e nën-presidentit së bashku me kandidatin për president Al Gore, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000.

Pas tre mandatesh në Senatin amerikan, ai krijoi reputacionin e një udhëheqësi të moderuar në partinë demokrate, mbështetës i një mbrojtjeje të fortë dhe me një qëndrim agresiv për sa i përket luftës kundër terrorizmit.

Por senatori Liberman zemëroi demokratët liberalë në shtetin që përfaqëson me mbështetjen e fuqimishme të luftës në Irak, duke u cilësuar kështu si i afërt me presidentin Bush.

Lleri Sabato, drejtues i Qendërs për Çështje Politike, pranë Universitetit të Virxhinias, thotë:

“Ndodh rrallë që senatorët humbasin në zgjedhjet paraprake, aq më tepër në rastin e një demokrati të njohur, i cili ka qenë emëruar nga partia si kandidat në postin e nën-presidentit.”

Zoti Liberman humbi përballë një emri të ri si Ned Lamont, i cili është përkrahës i vendosjes së një afati kohor për tërheqjen e trupave nga Iraku, ide e kundërshtuar nga zoti Liberman. Zoti Lamont e ka akuzuar zotin Liberman si përkrahës të presidentit Bush dhe ka nxitur demokratët në shtetin Kënetikat të votojnë kundër zotit Liberman duke dërguar një mesazh kundër luftës në të gjithë vendin.

Disa demokratë të njohur, përfshirë udhëheqësin e demokratëve në Senat, Herri Riid, po shpejtojnë të mbështesin kandidaturën e zotit Lamont për në zgjedhjet e nëntorit.

Zoti Liberman thotë se do të kandidojë si kandidat i pavarur në nëntor, duke u vendosur përballë demokratit Lamont dhe një kandidati pak të njohur republikan.

Ai i tha rrjetit televiziv, NBC se nuk do të ndryshojë qëndrimin ndaj çështjes së Irakut.

“Mendoj se do të jetë një katastrofë për ne, për trupat, për Irakun dhe për të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme, në qoftë se ne tërhiqemi brenda një afati të caktur, ashtu siç mendon rivali im politik."

Analisti Lleri Sabato thotë se zoti Liberman ishte ndër demokratët që humbi, për shkak të gadishmërisë për të mbështetur administratën e presidentit Bush në çështjen e Irakut.

“Zoti Liberman përfaqëson një shtet që mbështet gjerësisht demokratët, është kundër presidentit Bush dhe kundërshton fuqishëm luftën në Irak, megjithatë çuditërisht ai qëndroi përkrah presidentit Bush dhe e mbështeti atë vazhdimisht në çështjen e Irakut."

Analistët politikë thonë se humbja e zotit Liberman është një tregues i fortë se lufta në Irak do të jetë një faktor i rëndësishëm në zgjedhjet e nëntorit për në Kongres.

Tomas Man, nga Instituti Brookings, foli në programin e Zërit të Amerikës, Bisedë me Amerikën.

“Duket se amerikanët po shkurajohen gjithmonë e më shumë nga ngjarjet në Irak. Ata shqetësohen se trupat amerikane janë në mes të zjarrit të një lufte civile, të pasigurtë se ç’duhet bërë për të arritur një rezultat në një të ardhme jo të largët."

Republikanët mund të kenë arsye për t’u shqetësuar pas humbjes së zotit Liberman. Pakënaqësia publike mbi ngjarjet në Irak mund t’i ndihmojë demokratët të fitojnë 15 vendet që u nevojiten për të marrë kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve, ose 6 vendet që u duhen për të marrë kontrollin në Senat. Republikanët i kanë kontrolluar të dyja dhomat e Kongresit amerikan që nga viti 1994.

Nga ana tjetër shumë analistë e shikojnë humbjen e zotit Liberman si një provë tjetër e përçarjes së thellë në radhët e Partisë Demokrate mbi çështjen e Irakut. Demokratët liberalë, që kërkojnë një tërheqje të shpejtë dhe demokratët e moderuar, të cilët mendojnë se një tërheqje e shpejtë e trupave mund të çojë në më shumë kaos. //ze//

XS
SM
MD
LG