Lidhje

SHBA pranon se mosmarrëveshjet me Francën kanë dëmtuar përpjekjet për arritjen e një projekt-rezolute për Libanin

  • David Gollust

Shtetet e Bashkuara pranuan dje se mosmarrëveshjet me Francën kanë dëmtuar përpjekjet për arritjen e një projekt-rezolute të Këshillit të Sigurimit, që do t’u jepte fund luftimeve në Liban. Zyrtarë amerikanë këmbëngulin se çdo tërheqje izraelite nga Libani i jugut duhet të përkojë me dislokimin e një force paqëruajtëse ndërkombëtare për të parandaluar një vakum pushteti.

Zyrtarë të departamentit të shtetit kishin shpresë në fillim të kësaj jave se një rezolutë mbi Libanin mund të miratohej në Këshillin e Sigurimit deri sot, por ky afat tani po kalon për shkak të atyre që zyrtarët e cilësojnë si mosmarrëveshje me Francën lidhur me rendin e ngjarrjeve, që do të çonin në përfundimin e luftimeve.

Shtetet e Bashkura dhe Franca, të cilat janë vënë në krye të përpjekjeve diplomatike të Kombeve të Bashkuara mbi Libanin, arritën javën e kaluar një projekt-rezolutë, që bën thirrje për ndalimin e të gjitha luftimeve midis Izraelit dhe Hezbollahut.

Por Libani dhe vende të tjera arabe e kundërshtuan tekstin fillestar sepse nuk përmëndej tërheqja izraelite nga Libani i jugut.

Në një takim me gazetarët, zëdhënësi i departamentit të shtetit, Sean McCormack tha se Shtetet e Bashkuara po këmbëngulin në OKB se çdo tërheqje izraelite duhet të përkohë me dërgimin e një force ndërkombëtare në mënyrë që Hezbollahu, të cilin Washingtoni e shikon si organizatë terroriste, të mos jetë në gjendje të provokojë përsëri një krizë.

“Ne i jemi përmbajtur me përmikmëri parimit se në Libanin e jugut nuk mund të lejohet një vakum politik. Të gjithë e pranojnë se Izraeli duhet të tërhiqet si pjesë e ndalimit të armiqësive, përfshirë edhe vetë izraelitët. Por ne nuk mund të zëvëndësojmë diçka me asgjë, sepse po ta bësh një gjë të tillë, atëhere krijohen kushtet për shpërthimin e dhunës, për mungesën e qëndrueshmërisë si dhe një grup terrorist mund ta zhysë rajonin përsëri në dhunë.”

Një zyrtar i lartë që foli me gazetarët në departamentin e shtetit tha se kishte mosmarrëveshje midis Shteteve të Bashkuara dhe Francës lidhur me kohën dhe rrjedhën e dorëzimit të sigurisë në Libanin e jugut. Ai nuk pranoi në asnjë mënyrë të thoshte në se mosmarrëveshjet po sheshoheshin.

Zëdhënësi McCormack shprehu besimin se një forcë ndërkombëtare e aftë për të vendosur paqen midis Izraelit dhe Hezbollahut mund të krijohet e të dislokohet brënda një kohe relativisht të shkurtër.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë përjashtuar mundësinë e përforcimit të forcës ekzistuese vëzhguese të Kombeve të Bashkuara në Libanin e jugut, UNIFIL, si bazë të një misioni të ri paqëruajtës.

Por zyrtarët amerikanë mendojnë se UNIFIL-i ka qënë tepër i paefektshëm gjatë pranisë së tij gati 30 vjeçare në Liban dhe qartazi preferojnë një forcë të krijuar nga Kombet e Bashkuara por jo që të funksionojë nën kontrollin e burokracisë së OKB-së.

Sekretarja e shtetit Kondoliza Rajs është angazhuar në përpjekje diplomatike nga Washingtoni. Ajo foli dje me kryeministrin izraelit pasi të martën bisedoi në telefon me kryeministrin e Libanit dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan. //ze//

XS
SM
MD
LG