Lidhje

Kosovë: Shpallen dënimet për 3 ish-pjesëtarë të UÇK-së


Tre ish-anëtarë të UÇK-së u dënuan të enjten në Kosovë me nga 7 vjet burg, nën akuzën e krimit të luftës për trajtim çnjerzor - rrëmbim dhe rrahje të disa shqiptarëve për të cilët ata besonin se bashkëpunonin me autoritetet serbe. Sipas njoftimit të Departamentit të Drejtësisë të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, krimet për të cilat u dënuan tre ish-anëtarët e UÇK-së, janë kryer në periudhën qershor-korrik 1998, kur anëtarë të UÇK-së kishin organizuar dhe drejtuar sipas tij, një qendër ndalimi në bodrumin e ndërtesës së një shkolle në fshatin Drenovc në Rahovec. Tre shqiptarë të Kosovës u konfirmuan të vdekur dhe 4 të tjerë të zhdukur, për të cilët mendohet se janë po kështu të vdekur.

Një panel gjykatësish ndërkombëtarë në Gjilan, dënoi sot tre ish-anëtarë të UÇK-së për krimin e luftës të trajtimit çnjerzor, pas një gjykimi 11 mujor, në të cilin u paraqitën prova nga dëshmitarët e prokurorisë dhe te mbrojtjes.

Paneli i gjykatësve ndërkombëtarë tha se tre ish-anëtarët e UCK-së ishin fajtorë për rrëmbim dhe rrahje të shqiptarëve të Kosovës për të cilët ata besonin se bashkëpunonin me autoritetet serbe. Selim Krasniqi, Agron Krasniqi dhe Bedri Zyberaj u dënuan me nga 7 vjet burg ndërsa Islam Gashi u lirua. Personi i pestë në këtë grup, Xhemajl Gashi, nuk është kapur. Akuzat ishin tërhequr më parë ndaj Isuf Gashit dhe Xhavit Elshanit, si pasojë e mungesës së provave për përfshirjen e tyre.

Sipas njoftimit të Departamentit të Drejtësisë të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, krimet për të cilat u dënuan tre ish-anëtarët e UÇK-së, janë kryer në periudhën qershor-korrik 1998, “kur anëtarë të UÇK-së kishin organizuar dhe drejtuar një qendër ndalimi në bodrumin e ndërtesës së një shkolle në fshatin Drenovc në Rahovec”.

Tre shqiptarë të Kosovës u konfirmuan të vdekur dhe 4 të tjerë të zhdukur, për të cilët mendohet se janë po kështu të vdekur. Një officer i lartë i UÇK-së dhe i TMK-së më vonë, general-major Sali Veseli, u dënua para pak ditësh nga një panel tjetër gjykatësish ndërkombëtarë me 15 vjet burg për nxitjen e vrasjes së një komandanti të njohur të UÇK-së në zonën e Prizrenit, Ekrem Rexhës, i njohur si komandant Drini.

Sistemi i drejtësisë është një nga pikat më të ndjeshme në Kosovë dhe do të vazhdojë të mbetet nën mbikqyrje ndërkombëtare edhe pas zgjidhjes së statusit të saj. Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë pritet të ndihmojë në vecanti sistemin e drejtësisë dhe policisë në vend. Ka pasur një numër akuzash për sistemin gjyqësor dhe përparimin e tij të ngadalshëm në Kosovë, megjithëse zyrtarët ndërkombëtarë dhe vendas janë shprehur optimistë për arritjet e deritashme. //ad//

XS
SM
MD
LG