Lidhje

Kryeministri Berisha fton përsëri opozitën për bashkëpunim


Kohët e fundit në Shqipëri situata politike ka shënuar përsëri acarime të thella, ndërsa socialistët kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme lokale. Shkas për këtë u bë mënyra e zgjedhjes së tre anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe një sërë ligjesh të tjera për disa prej institucioneve të vendit. Qeveria e kryeministrit Sali Berisha thotë se ndryshimet dhe ligjet në fjalë bëhen në kuadrin e reformave të nevojshme për vendin. Socialistët hedhin akuzën se në emër të reformave, kryeministri po përpiqet të verë nën kontroll institucione të rëndësishme siç janë Prokuroria, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, apo Radiotelevizioni kombëtar. Në këtë klimë të acaruar dhe mungese të thellë besimi reciprok, reforma zgjedhore ka mbetur e bllokuar. Shqipëria, që gjatë viteve të tranzicionit është kritikuar vazhdimisht për parregullsi në zgjedhje, rrezikon që edhe në zgjedhjet e ardhshme të shkojë pa reforma.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, reforma zgjedhore ishte një prej premtimeve tuaja kryesore elektorale, ndërsa sot ju po mbroni listat e vjetra zgjedhore, që i keni kritikuar ashpër gjatë zgjedhjeve të kaluara dhe keni lënë të kuptohet se vitin e ardhshëm do të shkoni në zgjedhje me ligjin e vjetër. Përse nuk i është kushtuar reformës elektorale të njejtën vëmendje e përparësi si luftës kundër krimit dhe korupsionit?

Sali Berisha: Reformës zgjedhore i është kushtuar një vëmendje po kaq e madhe sa luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Reforma zgjedhore parashikon ndryshimet e kodit për zgjedhjet e përgjithshme si një kusht për të përmirësuar procesin zgjedhor. Kjo reformë me të gjitha sugjerimet e saj, sipas OSBE-ODHIRit nuk ka të bëjë me zgjedhjet vendore përveç listave të zgjedhësve të cilat ne po vendosim t'i shqyrtojmë sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIRit. OSBE-ODHIRi paraqiti një dokument (nonpaper) me të cilin ranë dakort plotësisht të dy forcat e mëdha politike. Mbi bazën e këtij dokumenti hartua amendamenti sipas të cilit listat do të ndërtoheshin bazuar në listat e vitit 2005 dhe regjistrin e përkohshëm. Pas kësaj partia socialiste u tërhoq duke mos paraqitur asnjë alternativë tjetër përveç mospranimit të regjistrit të përkohshëm i cili mban 130 mijë zgjedhës. Në këto kushte ne i kemi paraqitur alternativën tonë. Listat zgjedhore janë atribute të qeverisjes vendore. Qeveria qëndrore merr përsipër të financojë të gjithë procesin e kontrollit dhe të heqjes së dublikatave në të gjitha bashkitë dhe komunat ku qeverisë partia demokratike dhe ky proces të bëhet nga zyrtarët vendorë të partisë socialiste sikundër për partinë demokratike për bashkitë dhe komunat... Pra nuk është çështje e listave por çështje e një vullneti të mangët për të marrë pjesë në zgjedhje nga këto forca politike.

Zëri i Amerikës: Partia Socialiste kërkon ndryshim të listave ashtu siç keni kërkuar edhe ju gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar. Ndërsa ju tani po kërkoni thjesht verifikim të tyre.

Sali Berisha: Dallimi është shumë i madh. Zotëri, problemi qëndron se listat hartohen nga qeverisja vendore në të cilën partia socialiste ka qënë dhe është shumicë. Nuk po ndodh asgjë tjetër, sepse ata pretendojnë se do të ketë dublikata. Atëherë heqja e dublikatave i jep përgjigjen më të mirë listave. Por ne apriori nuk marrim dot përgjegjësinë për të përjashtuar 130 mijë qytetarë nga zgjedhjet sepse ky është dënim për zgjedhjet para se ato të zhvillohen.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, kohët e fundit ju keni inicuar një sërë ndryshimesh në institucionet e vendit: në Prokurori, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe në Këshillin Kombëtar e atë Drejtues të Radiotelevizionit. Për të gjitha këto ndryshime, opozita i ka bojkotuar seancat në parlament. A ju shqetëson ju fakti që reformat po bëhen pa pjesëmarrjen e opozitës?

Sali Berisha: Reformat natyrisht... opozita është shumë e mirëpritur dhe jemi të hapur plotësisht për reforma. Por në rast se anëtarë politikë të bandës së Lushnjes, siç është ish gjykatësi Gjermeni që lironte vrasësit, ata që vrisnin natën i lironte ditën, duke fallcifikuar familjarisht dokumentat. Pra në rast se disa anëtarë të tyre arrestohen kurse të tjerë lartësohen me detyrën e kryetarit të lartë, anëtarit të lartë të Këshillit të Drejtësisë, unë mendoj se ky është një dëm jashtëzakonisht i madh që i bëhet vendit. Përsa i përket prokurorit Sollaku, janë faktuar nga komisioni hetimor në mënyrë të katërciptë lidhjet e tij dhe mbrojta që ai u ka bërë këtyre organizatave të rrezikshme kriminale, të denoncuara jo vetëm nga shqiptarët por edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Në qoftë se bëhet fjalë për radio-televizionin unë mund t’u them se politika në 15 vite dështoi në menaxhimin e mediave dhe bordit të tyre. Është bërë një provë e re. I janë dorëzuar shoqërisë civile e cila për hir të së vërtetës në përbërjen e tyre mund të them dy gjëra; nga 12 anëtarë të zgjedhur janë vetëm 2 që kanë patur lidhje me strukturat e PD-së, nuk janë asnjë prej tyre që të ketë marrë ndonjë ditë rrogë në administratën e qeverisjes së partisë demokratike qoftë në vitet 90, qoftë tani. Pra për mendimin tim janë nga më të pavarurit që mund të ekzistojnë. Megjithë këtë çfarë i kam propozuar dhe i propozojë opozitës; Unë jam dakort të votojë në parlament ligjin pa “conditions”, standart ky nga më të mirët në vendet demokratike sikundër ftojë opozitën të marrë vendimin e monitorimit të kohës për forcat politike në media dhe të adaptojë qëndrimet më të rrepta në qoftë se kjo kohë nuk respektohet. Por të paragjykosh ato, sepse kryesoheshin nga ministra dhe deputetë socialistë dhe tani kryesohen nga personalitete të shkëlqyera civile dhe të pavarur nuk më duket se është produktive. Reformat janë jetike për Shqipërinë. Me reformat ne synojmë ta nxjerrim vendin nga korrupsioni dhe krimi, të rivendosim standarte të reja të cilat do të jenë të dobishme për të gjithë shoqërinë.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, ju nuk akuzoheni për mosbërjen e reformave por akuzohen për mënyrat se si po bëhen këto reforma. Pra në se ju keni të drejtë në parim kur thoni edhe për KQZ-në që qeveria duhet ta drejtojë këtë institucion pasi ajo është përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, qoftë edhe në parim keni të drejtë për radio-televizionet kur vini aty shoqërinë civile, ajo që kritikoni ju është si bëhen këto ndryshime. Pra çfarë rëndësie ka zbatimi i ligjit për ju?

Sali Berisha: Unë mendoj se kjo është një pyetje interesante por duhet t’u rikujtojë se reforma për mediat ka zgjatur jo më pak se 5 muaj, se janë ftuar mbi 50 herë përfaqësues të opozitës që të zgjidhnin bashkarisht personat me mirëbesim nga shoqëria civile. Për forcat politike unë të jem i sinqertë nuk isha dakort. Edhe jam i kënaqur që nuk provova të njëjtën gjë që ishte përpara por në mënyrë absolute këto u refuzuan në mënyrë të vazhdueshme nga opozita. Po kështu me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve këta që sot pretendojnë të kenë vetë katër dhe të lënë qeverinë me tre kanë mbajtur për vete për gjashtë vjet me radhë gjashtë me një dhe pesë me dy. Ne së bashku kur u vendos raporti katër me tre për qeverinë, ramë dakort se ky është ekuilibri, kjo është balanca sepse pesë me dy merren të gjitha vendimet për rezultatet dhe opozita ka forcën bllokuese. Pra unë mendoj, se i është dhënë muaj dhe muaj të tërë, është lutur opozita në mënyra të vazhdueshme që të marrë pjesë. Sërisht i lutem, keni dyshim për listat? Më sillni modelin tuaj që garanton qytetarët shqiptarë të votojnë dhe ne ta miratojmë menjëherë. Keni problem për mediat? Urdhëroni zotërinj të monitoroni mediat. Në rast se tejkalohet unë jam dakort që kryetari i opozitës të ketë sekondë për sekondë dhe në çdo dalje që të ketë kryetari i qeverisë. Por të paragjykojnë pastaj, unë gjykoj se nuk është e vlefshme. Reformat janë të domosdoshme për vendin. Të mos humbasim durimin sërisht. Unë ju garantojë ju që sigurisht që njëherë do konkludohet me to, por ama muaj dhe muaj të tërë kanë qëndruar në parlament të trija këto ligje.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, ofertat që keni bërë ju deri më tani për opozitën janë hedhur poshtë nga ajo. Cila është rruga e së ardhmes, si do vazhdojë politika në Shqipëri në të ardhmen? A do të shkoni ju në zgjedhjet lokale pa pjesëmarrjen e opozitës në to?

Sali Berisha: Sigurisht zgjedhjet nuk mund të pengohen. Një gjë është e sigurtë që jam i angazhuar totalisht për çdo përpjekje për zgjedhje të lira dhe të ndershme Në rast se opozita për aspekte personale të një lideri apo të një tjetri, sepse këtu më duhet të them, një rivalitet i jashtëzakonshëm midis karriges bosh të Fatos Nanos dhe kryetarit aktual të partisë socialiste është evident operativë dhe i gjithëfuqishëm. Në rast se për qëllime të caktuara bojkotohen zgjedhjet për mendimin tim janë vendime shumë të gabuara dhe kundërproduktive. Zgjedhjet do të zhvillohen dhe unë mbetem totalisht i angazhuar i përkushtuar për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Nuk mundet qeveria të detyrojë opozitën të marrë pjesë në një proces që ajo vendos ta bojkotojë. E ftojë prapë, e ftojë dhe do ta ftojë të bashkëpunojmë për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm.

XS
SM
MD
LG