Lidhje

SHBA: fushatë botërore kundër korrupsionit

  • David Gollust

Aminstrata e Presidentit Bush njoftoi dje se po u kërkon vendeve të ndryshme të botës të bashkohen me Shtetet e Bashkuara për të luftuar korruspionin midis zyrtarëve të lartë qeveritarë. Sipas të dhënave, rryshfetet dhe vjedhjet thithin çdo vit qindra miliarda dollarë nga arkat e qeverive dhe më të prekurit janë njerëzit në vendet në zhvillim.

Zyrtarët në Departamentin e Shtetit thonë se Presidenti Bush luajti një rol kryesor për të siguruar premtime në luftën kundër korrupsionit nga 8 fuqitë kryesore të botës në takimin e tyre të nivelit të lartë në Shën Pjetërburg të Rusisë muajin e kaluar. Sipas zyrtarëve, Presidenti Bush synon tani t’i vazhdojë këto përpjekje me një fushatë të re ndërkombëtare kundër të ashtuquajturve "kleptokratë" – funksionarë të nivelit të lartë në qeveri të ndryshme që pasurohen me anë të rryshfeteve dhe vjedhjeve të drejtpërdrejta.

Lidhur me përmasat e këtij problemi nuk ka shifra të sakta. Por Banka Botërore vlerëson se çdo vit paguhen 1 trilion dollarë si rryshfet për zyrtarët e qeverive ndërsa Kombet e Bashkuara thonë se vitet e fundit vetëm nga programet e ndihmave për Afrikën nënsahariane mund të jenë vjedhur 400 miliard dollarë.

Në një konferencë të përbashkët shtypi në Departamentin e Shtetit, zyrtarë të lartë të këtij departamenti si dhe të departamenteve të Thesarit dhe të Drejtësisë, thonë se po formojnë një ekip për ndjekjen dhe nxjerrjen para drejtësisë të fakteve që kanë të bëjenë me korrupsionin e niveleve të larta. Ata i bënë gjithashtu thirrje edhe vendeve të tjera të bashkohen me përpjekjet amerikane.

Nënsekretarja e Shtetit për Çështjet Ekonomike dhe të Biznesit, Xhozet Shajner, tha se qëllimi është të identifikohen, izolohen dhe ndëshkohen personat e përfshirë në praktika qeveritare korruptive.

"Mjetet më të rëndësishme për këtë qëllim do të jenë mohimi i fushës së veprimit fizik ose financiar për personat e korruptuar. Ne do të marrim masa parandaluese që ata të mos i pastrojnë dot fitimet e siguruara me mënyra të padrejta, do të nxjerrim para drejtësisë njerëzit që u japin rryshfete zyrtarëve qeveritarë si dhe do të gjejmë dhe do t’ua kthejmë popujve të këtyre vendeve pasuritë e vjedhura që u përkasin atyre."

Nënsekretarja Shajner tha sipas vlerësimeve të organizatës së monitorimit Transparency International, ish presidenti indonezian Suharto, ka grumbulluar me mënyra korruptive midis 15 miliard dhe 30 miliard dollarë gjatë qendrimit në pushtet prej më shumë se 30 vjetësh, ndërsa ish presidenti i Filipineve, Ferdinand Markos i së njëjtës periudhë, mund të ketë vjedhur 5 miliard dollarë. Një listë me fakte e Departamentit të Shtetit identifikon gjithashtu si kleptokratë ish presidentët Sadam Husein të Irakut, Arnoldo Aleman të Nikaraguas, Sani Abaça të Nigerisë dhe Alberto Fugjimori të Perusë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve, nënsekretarja Shajner nuk pranoi të përmendë emra mes udhëheqësve të tanishëm botërorë që mund të jenë të përfshirë në korrupsion por e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara besojnë se mes tyre ka shumë, duke përfshirë figura të larta politike në Bjellorusi, të cilët në muajin qershor janë ndëshkuar me sanksione nga Departamenti amerikan i Thesarit për korrupsion dhe shkelje të të drejtave të njeriut:

"Ajo që ne po themi sot është se po u bëjmë një paralajmërim kleptokratëve duke u deklaruar se nëse ju vidhni paratë që me ligj u takojnë qytetarëve të vendeve tuaja, ne nuk do të rrimë duarkryq. Pra ne nuk kemi ardhur sot këtu për të shpallur një listë por për të thënë se masat që kemi marrë ndaj zyrtarëve bjellorusë janë një shembull i veprimeve që synojmë të ndërmarrim."

Në rastin e Bjellorusisë, Shtetet e Bashkuara ndoqën shembullin e Bashkimit Evropian duke bllokuar një pjesë të pasurive të Presidentit Aleksander Lukashenko dhe të ndihmësve të tij kryesorë pas zgjedhjeve të marsit që zyrtarët amerikanë i cilësuan si të manipuluara. Përpjekjet amerikane kundër korrupsionit ndërkombëtar filluan seriozisht në vitin 1977 me Ligjin kundër Praktikave të Huaja Korruptive, i cili shpallte të paligjshme çdo veprim të shtetasve amerikanë për të korruptuar zyrtarët e huaj.

Nënsekretarja Shajner tha se Departamenti amerikan i Drejtësisë vazhdon ta zbatojë me forcë këtë ligj dhe se vetëm në dy vjetët e fundit janë ndjekur nga drejtësia dy raste të këtij lloji. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë thirrje dhe do të përpiqen që çdo vend tjetër të ketë një ligj të ngjashëm.

Në një deklaratë me shkrim nga ferma e tij në Teksas ku ndodhet me pushime, Presidenti Bush e quajti korrupsionin e niveleve të larta një shpërdorim të rëndë dhe gërryes të pushtetit si dhe një kërcënim ndaj progresit demokratik. Ai tha se nxitja e mënyrave transparente dhe të përgjegjëshme të qeverisjes është pjesë përbërëse me rëndësi të veçantë e politikës amerikane.//ii

XS
SM
MD
LG