Lidhje

Britania vazhdon me nivelin më të lartë të gatishmërisë


Sekretari i brendshëm britanik Xhon Rid tha se niveli i kërcënimit të vendit vazhdon të jetë kritikë, një ditë pasi policia arrestoi pjesmarrësit kryesorë të komplotit për të hedhur në erë një numër avionësh amerikanë mbi Oqeanin Atlantik.

Xhon Rid shprehu të premten besimin se të dyshuarit kryesorë janë arrestuar. Ai vlerësoi gjithashtu Pakistanin, i cili luajti një rol madhor në zbulimin e komplotit.

Të enjten autoritetet britanike arrestuan 24 personave të dyshuar.

Zyrtarët thanë se terroristët ishin gati të fusnin fshehurazi eksplozivë të lëngët në 10 avionë amerikanë.

Banka e Anglisë ngriu pasuritë e 19 nga të dyshuarit e arrestuar që duket të jenë myslimanë. Shumë prej tyre besohet të jenë me origjinë nga Pakistani.

Ndërkohë, në aeroporte në mbarë botën vazhdon zbatimi i masave të sigurisë së lartë. Zyrtarët amerikanë thonë se karakteri i sulmeve të planifikuara të bën të besosh se ky ishte një komplot i al-Kaidës.

Pasagjerët që udhëtojnë nga Britania për në Shtetet e Bashkuara do të kalojnë në kontrolle më të imëta për një periudhë kohe, ndërkohë që zyrtarët amerikanë dhe britanikë vazhdojnë.

Sekretari amerikan i Sigurimit Kombëtar, Majkëll Çertof, thotë se komploti ishte në fazat e fundit të planifikimit dhe mendon se me këtë operacion kishin lidhje edhe persona jashtë Britanisë. “Ky ishte një plan i sofistikuar me shumë anëtarë dhe me një shtrirje në shkallë ndërkombëtare”.

Megjithëse është shumë herët për të zbuluar se kush fshihej pas planeve për këtë sulm, Presidenti Bush fajësoi direkt terrorizmin e tipit të rrjetit al-Kaida. “Ky vend është në luftë me fashistë islamikë, të cilët do të përdorin çdo armë për të na luftuar ne që duam lirinë dhe për të dëmtuar vendin tonë”. Presidenti Bush falenderoi kryeministrin britanik Toni Blair dhe agjentët britanikë të sigurimit që e zbuluan komplotin.

Ekspertë të terrorizmit mendojnë se një sulm i tillë kërkon angazhimin e disa terroristëve, secili me një sasi të caktuar lënde plasëse. Më pas mjeti shpërthyes do të montohej në avion dhe do të aktivizohej me një mjet elektronik si për shembull një telefon celular apo një kompiuter.

Në aeroportet e mbarë botës janë forcuar masat e sigurisë dhe janë vënë kufizime të rrepta mbi objektet që lejohen të merren në bordin e avionit. Disa vëzhgues paralajmërojnë se masa të tilla mund t’i ngarkojnë tej mase operacionet e sigurimit. Eksperti i aviacionit Xhon Nensi mendon se masat janë të nevojshme: “E kemi të qartë se pas 11 shtatorit autoritetet e sigurimit janë përpjekur të mos lejojnë asnjë mundësi për dështim. Prandaj edhe po përpiqen të gjejnë çdo pikë të dobët. Sapo të sigurohen këto pika të dobëta, sistemi do të ketë nevojë për riprojektim”.

Ish-bashkërenduesi i Shtëpisë së Bardhë për masat anti-terroriste, Riçërd Klark thotë se zyrtarët e sigurimit e kanë ndeshur edhe më parë një komplot të kësaj natyre: “Ky është identik me komplotin që u zbulua në vitin 1995 në Oqeanin Paqësor, kur al-Kaida po përdorte shishe për mbajtjen e solucionit të lenteve të syve për të futur eksploziv në avionë për të kryer një sulm si ai i 11 shtatorit me avionë që udhëtonin mbi Oqeanin Paqësor”.

Komploti i zbuluar nga autoritetet britanike thuhej se do të ishte shumë më i rëndë se sulmet e viteve të fundit, duke kushtuar qindra e ndoshta mijëra jetë. Duket gjithashtu se planifikimi ishte bërë me fonde dhe ekspertizë shumë më të thelluar.

Vonesa në aeroportet nëpër botë

Anullimet e para të fluturimeve në Britani shkaktuan vonesa të mëdha në mbarë botën. Ndërsa frika nga terrorizmi u shfaq përsëri, pasagjerët në një avion që po udhëtonte nga Londra drejt Washingtonit e mirëpritën shtimin e masave të sigurimit.

Në aeroportin e Dallasit në Uashington, momente plot ankth u kthyen shpejt në gëzim.

Udhëtimi i Natali Driskollit nga Londra në Uashington u vonua prej më shumë se dy orësh për shkak të shtimit të masave të sigurimit. Por turistja 15-vjeçare thotë se 8 orët e udhëtimit kaluan pa probleme. “Nuk u lejuam të mbajmë asgjë me vete veç pasaportës, çantave me sende personale dhe portofolëve”.

Avioni i Natalisë, “United 293”, ishte ndër të parët që mbërriti në Amerikë pas zbulimit të komplotit terrorist nga autoritetet britanike. Ajo tha për Zërin e Amerikës se ishte më e frikësuar nga turma e reporterëve dhe kamerat që i dolën para.

Por jo të gjithë udhëtarët e fluturimeve të tjera mund të priten kështu. Administrata amerikane e Transportit dhe Sigurimit thotë se, edhe pse pasagjerëve mund t’u duhet të qendrojnë me gjatë në radhë, puna në aeroportet amerikane do të vazhdojë si zakonisht. “Po i inkurajojmë njerëzit të udhëtojnë e të mos i ndryshojnë planet”, thotë shefi për Sigurimin në Administratën e Transportit, Xhon Lenihan, i cili po i këshillon udhëtarët të mbërrijnë në aeroport tri orë para fluturimit. Ai i paralajmëron ata se nuk do të lejohen të mbajnë me vete ujë e lëngje të tjera, veë disa përjashtimeve. “Lejohet qumështi për bebet dhe barnat në formë lëngu në rast se shoqërohen me recetën përkatëse, e madje edhe ilaçe pa recetë si insulina”.

Udhëtarët që folën për Zërin e Amerikës, nuk dukej se shqetësoheshin nga këto kufizime. Kent dhe Anet Millër mbërritën në aeroport dy orë para dhe masat e sigurimit iu dukën qetësuese.“Jam tepër i lehtësuar që të gjithë me sa duket po i kryejnë detyrat e veta”. “Edhe mua, thotë Aneta, më pëlqen pa masë dhe tani ndjehem shumë më e sigurtë”.

Shumica e pasagjerëve duket se nuk bezdisen nga masat e sigurimit, por Xhudith Jork, e cila ka jetuar në Liverpool të Anglisë e konsideron shqetësues kërcënimin e fundit terrorist. “...për shkak se po ndodh përsëri. Terroristët kanë goditur qytete të ndryshme. Janë burracakë, pasi vënë në shenjestër nejrëz që nuk kanë të bëjnë me filozofinë e tyre dhe janë thjeshtë vagabondë. Marrin njerëz peng dhe pa asnjë arësye. Është çmenduri”.

Britania është në shkallën më të lartë të gatishmërisë. Edhe fluturimet nga Britania drejt Amerikës ndodhen nën këto masa. Të gjitha fluturimet e tjera amerikane janë në shkallën e dytë më të lartë të gatishmërisë. //az//

XS
SM
MD
LG