Lidhje

Këshilli i Sigurimit miraton rezolutë armëpushimi që synon t’u japë fund luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri një rezolutë armëpushimi që synon t’u japë fund luftimeve mes Izraelit dhe militantëve Hezbollah në Liban.

Rezoluta e miratuar mbrëmë e quan gjendjen në Liban një kërcënim për paqen dhe sigurimin ndërkombëtar dhe kërkon ndërprerjen e plotë të luftimeve, duke përfshirë sulmet e Hezbollahut dhe operacionet ushtarake të Izraelit.

Me ndërprerjen e luftimeve, rezoluta autorizon gjithashtu shtimin e forcës së tanishme paqeruajtëse të OKB-së në Liban deri në një nivel maksimal prej 15 mijë trupash si dhe ndihmë për qeverinë libaneze që ajo të ushtrjë autoritetin e saj në të gjithë vendin.

Zyrtarët izraelitë dhe libanezë lanë dje të kuptohet se do ta pranojnë rezolutën e armëpushimit por ajo duhet të miratohet nga të dyja qeveritë. Libani do ta shqyrtojë rezolutën nesër ndërsa Izraeli të dielën.

Duke folur mbrëmë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan tha se fakti që Këshilli i Sigurimit nuk arriti të veprojë më shpejt për t’i dhënë fund gjakderdhjes, e ka tronditur së tepërmi besimin e botës tek ky Këshill. Ai tha gjithashtu se vetëm zgjidhjet afatgjata garantojnë një paqe të qendrueshme.

PAS NJE DITE DISKUTIMESH DIPLOMATIKE

Këshilli i Sigurimit e miratoi rezolutën e rishikuar pas një dite diskutimesh diplomatike intensive. Sekretarja amerikane e shtetit, Kondoliza Rajs, shkoi në Nju Jork për të nxitur miratimin e rezolutës, siç vepruan edhe homologët e saj nga Britania, Danimarka, Franca, Gana, Greqia dhe Sllovakia.

Teksti i rishikuar bën thirrje për një ndërprerje të luftimeve, duke u bazuar tek ndalimi menjëhershëm i sulmeve nga Hezbullahu dhe ndalimi i menjëhershëm i ofensivës ushtarake nga ana e Izraelit.

Rezoluta i bën thirrje Izraelit që pasi të vendoset armëpushimi ai të tërheqë sa më shpejt forcat nga Libani jugor dhe autorizon 15 mijë trupa libaneze që në bashkëpunim me forcat speciale të OKB-së të vëzhgojnë tërheqjen.

Sekretarja Rajs tha se rezoluta do të ndihmojë qeverinë libaneze të shtirjë sovranitetin duke krijuar një forcë ndërkombëtare të re të bazuar tek forca e tanishme e OKB-së në Liban.

“Megjithëse forca e re do të mbajë të njëjtin emër, UNIFIL, ajo nuk do të jetë e njëjta forcë. Do të jetë një UNIFIL i përmirësuar, ashtu siç e ka kërkuar qeveria libaneze. Forca e re ndërkombëtare do të ketë një mandat më të gjatë, një qëllim më të gjerë, pajisje më të mira dhe do të jetë më e madhe në numër. Forcat e armatosura libaneze së bashku me forcën e re ndërkombëtare do të dislokohen në jugun e vendet për të mbrojtur popullin libanez dhe për të siguruar se Hezbullahu nuk do të kërcënojë Izraelin.”

Rezoluta thekson se Libani duhet të marrë kontrollin e të gjithë territorit të vendit dhe të çarmatosë të gjitha grupet e armatosura..

Këshilli i Sigurimit u kritikua ashpër nga shumë folës, për faktin që u vonua kaq shumë për arritjen e një rezolute. Midis tyre ishte edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan.

“Nuk do të isha i sinqertë në qoftë se nuk do të shprehja zhgënjimin e thellë për mosarritjen e një rezolute shumë kohë më parë nga Këshilli. Jam i bindur se ky zhgënjim është ndjenja e miliona njerëzve kudo në botë. Të gjithë anëtarët duhet ta dinë se paaftësia për të vepruar më herët, ka lëkundur besimin e botës tek autoriteti dhe integriteti i Këshillit të Sigurimit.”

Ai shtoi se vonesa ka qenë në favor të ekstremistëve.

Zonja Rajs tha se Hezbullahu e futi Libanin në një luftë pa vullnetin e tij dhe se tani është përgjegjësia e bashkësisë ndërkombëtare për të ndihmuar popullin libanez të ndërtojë një paqe të qëndrueshme.

“Shtetet e Bashkuara u kanë dhënë një ndihmë të konsiderueshme përpjekjeve humanitare në Liban dhe Izrael dhe gjatë ditëve të vështira pas armëpushimit ne kemi në plan të bëjmë më shumë, duke rritur ndihmën e menjëhershme në Liban me 50 milionë dollarë.”

Qeveria libaneze pritet ta diskutojë rezolutën sot ndërsa kabineti izraelit do ta marrë në shqyrtim në një takim nesër.

Një rezolutë e dytë e cila pritet brenda një muaji, do të trajtojë çështje të tilla si lirimi i dy ushtarëve izraelitë, rrëmbimi i të cilëve nga Hezbullahu u bë shkak për fillimin e konfliktit. //ii

XS
SM
MD
LG