Lidhje

Ç'po ndodh me Fidel Kastron?


Kanë kaluar thuajse 2 javë që kur Kuba njoftoi se Presidenti Fidel Kastro i ishte nenshtruar një operacioni gastrointestinal dhe përkohësisht ia kishte kaluar autoritetin ekzekutiv të vëllait, Raul. Që atëhere nuk ka patur asnjë konfirmim të pavarur për gjendjen shëndetësore të zotit Kastro. Mungesa e informacionit është bërë shkak për zëra nga më të ndryshmit rreth Kastros, presidenti që ka qendruar në fuqi më shumë se kushdo tjetër në botë dhe që të dielën mbush 80 vjeç.

Zyrtarët kubanë i kanë thënë mediave të kontrolluara nga qeveria se shëndeti i Fidel Kastros ruhet si sekret shtetëror, duke patur parasysh ato që ata i përshkruajnë si kërcënime dhe komplote amerikane për të ndryshuar me forcë formën e qeverisë në Kubë. Por ata ngulin këmbë se Kastroja po e merr veten mirë nga operacioni, se është në gjendje të qendrojë ulur në shtrat dhe të lexojë dokumente dhe se mjekët presin që ai t’u rikthehet detyrave presidenciale branda pak javësh ose muajsh.

Vëzhguesit e Kubës thonë se vlerësime të tilla optimiste janë të pritshme nga ndihmësit kryesorë të Fidel Kastros, por shtojnë se tani për tani ata nuk kanë asnjë të dhënë tjetër mbi të cilat t’i bazojnë gjykimet e tyre. Andy Gomez i Universiteit të Majemit në Florida thotë se bota ka një mungesë të plotë informacioni kur është fjala për gjendjen shëndetëore të Fidel Kastros: "Ne nuk kemi parë ndonjë fakt që ta analizojmë dhe të themi “ja se ç’po ndodh”. Pre ne nuk dimë se si janë punët", thotë analisti.

Por nga ana tjetër si shpjegohet mungesa e informacioneve të tjera, për shembull fakti që mungojnë fotografi të Kastros pas operacionit të tij? Gomez thotë se ka disa shpjegime të mundëshme. Njëri është se Fideli, është në rrugën e shërimit, siç thonë edhe zyrtarët kubanë dhe qeveria preferon të mos i bëjë të ditura hollësitë para se ai të marrë në dorë plotësisht detyrat si president.

Një tjetër mundësi, sipas zotit Gomez, është se qeveria ende ndodhet në procesin e zbatimit të planeve të hartuara për periudhën e pas Kastros dhe, për të fituar më shumë kohë, po e fsheh faktin që Kastroja është në gjendje të rëndë: "Heshtja mund të interpretohet edhe si një përpjekje për t’u siguruar se aparati i sigurimit është në funksionim të plotë, pra kur Fideli të jetë sëmurë rëndë dhe të jetë duke vdekur, ata të mund të parandalojnë çdo formë proteste në të gjithë ishullin."

Për shumë mërgimtarë kubanë në Florida dhe rajone të tjera, çdo ditë që kalon pa asnjë provë mbi gjendjen shëndetësore të Kastros u shton atyre besimin në rritje se i gjallë apo i vdekur, ditët e tij si udhëheqës suprem kanë përfunduar.

Në stacionin kryesor kubano-amerikan Radio Mambi, mendimi i përbashkët i komentaorëve, analistëve dhe i atyre që telefonojnë është Fidel Kastroja ka marrë fund si udhëheqës dhe se sundimi i 75-vjeçarit Raul Kastro, i cili nuk është parë në publik, do të jetë i shkurtër.

Shumë vëzhgues thonë se po të ishte Kastroja aq në gjendje sa të bënte një fotografi për mediat kjo fotografi do të ishte shpërndarë me kohë. Por një ish shef i zyrës së interesave amerikane në Havanë, Wayne Smith, thotë se nuk duhen bërë interpretime të tepruara rreth praktikave të zyrtarëve kubanë kur vjen puna për të nxjerrë ndonjë gjë që ka lidhje me Fidel Kastron: "Unë them se nuk duhen bërë interpretime të stërholluara sepse sistemi i tyre është mjaft i ndryshëm. Ata nuk kanë shtyp të lirë, media është e kontrolluar. Ricardo Alarkon, Presidenti i Asamblesë Kombëtare të Kubës dhe një numër figurash të tjera publike kanë thënë se Kastroja po e merr veten. Dhe, mendoj se nga pikpamja e tyre, duke patur parasysh sistemin që ata kanë, ata mendojnë se komente të tilla mjaftojnë." Smith ve në dukje se kubanët e Kubanës kanë reaguar me qetësi ndaj lajmit për sëmundjen e udhëheqësit të tyre dhe në kushtet kur në vend nuk ka patur trazira, zyrtarët nuk kanë ndonjë presion që t’i detyrojë të thonë më shumë për gjendjen e Kastros. Megjithatë, thotë zoti Smith, tani që 80-vjetori i Kastros po afron, nëse zyrtarët mendojnë të publikojnë ndonjë fotografi të Kastros, ditëlindja e tij do të ishte rasti më i mirë. Kuba i ka shtyrë për në fillim të dhjetorit festimet zyrtare për ditëlindjen e Fidelit.

XS
SM
MD
LG