Lidhje

Rrjedhojat strategjike të forcimit të marrëdhënieve SHBA-Indi


Një marrëveshje indiano-amerikane per bashkëpunimin në fushën e industrisë civile bërthamore, e miratuar kohët e fundit nga Dhoma e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, pritet të miratohet muajin tjetër edhe nga Senati. Marrëveshja konsolidon miqësinë në rritje amerikano-indiane që shihet nga shumë analistë si pjesë e një aleance për të frenuar fuqinë ushtarake dhe ekonomike në rritje të Kinës. Aida Akel e Zërit të Amerikës analizon rrjedhojat strategjike që mund të ketë forcimi i marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Indisë.

India shpesh ka qenë përshkruar si aleate e natyrshme e Amerikës. Kjo shprehje është krijuar nga ish ambasadori amerikan në Indi, Robert Blackwell në vitin 2001 dhe ka qenë përdorur për të nënvizuar vlerat demokratike dhe interesat kombëtare që kanë të përbashkët këto dy vende. Por Ivan Eland, i Institutit të Pavarur të Studimeve Politike në Ouklend të Kalifornisë, thotë se jo gjithmonë ka qenë kështu."Tradicionalisht, India nuk ka qenë aleate e natyrshme e Shteteve të Bashkuara sepse gjatë Luftës së Ftohtë ajo gjithnjë anonte nga Bashkimi Sovjetik ndërsa Shtetet e Bashkuara nga Pakistani. Nga fundi i Luftës së Ftohtë, India filloi të anonte nga Kina. Tani, Shtetet e Bashkuara ndonëse nuk kanë një aleancë zyrtare me Indinë, mund të thuhet se mes dy vendeve ka një miqësi në lulëzim. Nga ana tjetër e kësaj miqësie qendron Kina, pra kjo bëhet për të frenuar Kinën".

Sipas zotit Eland, India është faktori më i madh në frenimin e Kinës, një strategji që, sipas tij, përfshin gjithashtu Taivanin, Japoninë, Tailandën, Australinë dhe Rusinë. Uashingtoni, thotë ai, shqetësohet se ekonomia në rritje të shpejtë e Kinës mund të përbëjë një problem në të ardhmen.

Analisti nga Kalifornia, Kon Halinan, i organizatës Politika e Jashtme në Fokus, mendon se për ta përfshirë Indinë në listën e vendeve që shërbejnë për frenimin e Kinës, Uashingtoni ka qenë i gatshëm të plotësojë disa nga nevojat e Indisë për energji bërthamore civile dhe sidomos të marrë parasysh interesat e saj lidhur me Pakistanin. "Indianët duan ta nxjerrin Pakistanin jashtë loje si kundërshtar të mundshëm. Mendoj se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’u japin indianëve dorë të lirë për ta bërë këtë sepse ata kanë nevojë për Indinë si pjesë e kësaj unaze që ato po ndërtojnë rreth Kinës".

Por disa analistë nuk janë dakord me këtë vlerësim dhe thonë se krijimi i marrëdhënieve më të ngushta me Indinë duhej të ishte bërë me kohë, pasi dy vendet kanë interesa të përbashkët si dhe shqetësime dhe politika të ngjashme lidhur me kërcënimet e mundshme ekonomike dhe ushtarake që vijnë nga Kina.

Disa ekspertë argumentojnë se në botën e sotme marrëdhëniet ekonomike kanë shumë më peshë se sa konsideratat politike si bazë për miqësitë mes vendeve të ndryshme. Autori Tomas Barnet parashikon se Amerika do të afrohet më shumë nga pikpamja strategjike me me Indinë, me Kinën, si dhe me vende si Rusia dhe Brazili se sa me aleatët e saj tradicionalë evropianë apo me Japoninë. Ai e quan këtë një ndryshim të çuditshëm historik. "Në vitet 60, Kina përfaqësonte nocionin e vendit që pritej të startonte dominonë komuniste, pra do të krijonte një valë kolosale të komunizmit në botë. Kjo ishte pjesërisht edhe arësyeja strategjike se përse Amerika ndërhyri në Vietnam. Tani po ndodh pikërisht e kundërta. Kina është bërë aq e orientuar nga tregu, aq kapitaliste saqë po i kthen në kapitaliste edhe vendet e tjera të Azisë Juglindore, si Vietnamin, Kamboxhian dhe Laosin".

Disa vëzhgues mendojnë se pavarësisht nëse India është aleate e natyrshme e Shteteve të Bashkuara apo frenuese e Kinës, po të kesh parasysh përmasat e ekonomisë dhe të popullatës së saj si dhe aftësitë e saj ushtarake, ajo përgatitet të bëhet me sa duket konkurrentja më e fuqishme e Kinës në Azinë Juglindore.

XS
SM
MD
LG