Lidhje

Ndikimi i masave të sigurisë në industrinë e fluturimeve


Pas zbulimit të komplotit për të hedhur në erë avionë amerikanë që fluturonin nga Britania për në Shtetet e Bashkuara, industria e fluturimeve po ndërmerr hapa për të përmbushur kërkesat e qeverisë amerikane për shtimin e sigurimit në aeroportet amerikane. Megjithatë ekziston pasiguri mbi mënyrën se si këto ndryshime do të ndikojnë tek biznesi në industrinë e fluturimeve.

Industria amerikane e fluturimeve po ndërmerr hapa për të bashkëpunuar me masat e qeverisë për shtimin e sigurimit duke paralajmëruar pasagjerët të mos marrin lëngje në bagazhe. Kufizimet e reja do të prekin gati dy milion pasagjerë që fluturojnë mesatarisht çdo ditë në avionët komercialë në Shtetet e Bashkuara.

Jim May është presidenti dhe shef ekzekutiv i Shoqatës së Transportit Ajror, një grup tregëtar i industrisë. "Gjëja e parë që mund të vësh re është se rradhët që të çojnë në pikat e kontrollit janë më të gjata. Është diçka e re me të cilën njerëzit duhet të mësohen".

Zoti May thotë se pasagjerët duhet të shkojnë në aeroport edhe më herët sesa tani, duke sugjeruar që ata që kanë fluturime brenda vendit të paraqiten dy orë përpara nisjes. Për pasagjerët që fluturojnë jashtë, ai sugjeron të mbërrijnë në aeroport tre orë përpara. Si dhe... "Mos merrni shumë bagazhe. Mundohuni të merrni sa më pak artikuj në mënyrë që të shpejtoni procesin e kontrollit".

Analistët e industrisë thonë se humbjet në biznes priten – të paktën në një periudhë afatshkurtër – nga pasagjerët që udhëtojnë në fluturime të shkurtra. Por shumë besojnë se në një periudhë afatgjatë ndryshimet në procedurat e sigurimit nuk do të ndikojnë seriozisht në industrinë e aviacionit.

Rënia e gjatë ekonomike e shkaktuar nga sulmet terroriste të 11 shtatorit, i kushtoi shoqërive ajrore amerikane gati 40 miliardë dollarë. Megjithatë, qysh atëherë industria e ka marrë veten duke fluturuar më pak avionë në më pak destinacione. Rritja e konkurrencës për vendet më të pakta ka bërë të mundur që shoqëritë ajrore të rrisin çmimet dhe të bëjnë fitime.

XS
SM
MD
LG