Lidhje

Maqedonia  5 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit


Më 13 gusht mbushen 5 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, e cila i dha fund konfliktit ndërmjet luftëtarëve shqiptarë dhe forcave qeveritare në Maqedoni. Marrëveshja synonte të ruante integritetin terrotorial të vendit dhe të përmbushte kërkesat e pakicës shqiptare për vetqeverisje lokale si dhe ndryshime kushtetuese dhe ligjore që të sanksiononin të drejtat e pakicave. Analistët e vlerësojnë këtë marrëveshje si një sukses jo vetëm për Maqedoninë, por si një shembull të diplomacisë që ka rrezatuar stabilitet në mbarë rajonin.

Në bilancin pesë vjeçar të Marrëveshjes së Ohrit, këshilltari i Komisionit amerikan të Helsinkit, Bob Hand, thekson se ky dokument nuk ishte një zgjidhje thjesht për problemet e momentit, por një kornizë për zgjidhje të sfidave të mëdha me të cilat ndeshej vendi: "Eshtë një dokument shumë i rëndësishëm. Së pari nëse nuk do të ishte arritur një marrëveshje që t’i jepte fund konfliktit në vitin 2001, ku u dihet sa më keq mund të kishte shkuar gjendja? Përveç kësaj, angazhimi që kemi vërejtur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, në veçanti për miratimin e ligjeve kanë vënë në shenjestër disa nga problemet konkrete që duheshin zgjidhur për të ruajtur unitetin e vendit dhe për të përparuar në integrimin euro-atlantik," thotë zoti Hand.

Analisti politik Bruce Jackson e konsideron Marrëveshjen e Ohrit si shembull të demokracisë së suksesshme që i shërbeu mbarë rajonit: "Marrëveshja e Ohrit shënon një numër arritjesh: ajo ofroi themelet për integrimin e Ballkanit jugor në institucionet evropiane. Dhe në një farë mënyre ka rrezatuar stabilitet edhe përreth Maqedonisë."

Shpërthimi i konfliktit në Maqedoni e gjeti të papërgatitur Perëndimin, i cili e konsideronte këtë vend si një shembull të suksesshëm të një shoqërie shumëetnike në rajon. Në mënyrë që të parandalohej një luftë civile në shkallë të gjerë, kryeministri Ljubço Gjeorgjevski, Branko Crvenkovski i Bashkimit Social-Demokrat, Arber Xhaferi i Partisë Demokratike të Shqiptarëve dhe Ymer Ymeri i Partisë për Prosperitet Demokratik të shqiptarëve nënshkruan në Ohër një marrëveshje mbi një paketë amendamentesh për kushtetutën dhe ndryshimesh ligjore që do të përmbushnin kërkesat e shqiptarëve, si parametrat për një përfaqësim të drejtë të pakicave në administratë, për të drejtat për gjuhën si dhe kornizën për forcimin e pushtetit lokal, dhe ruajtjen e integritetin territorial të Maqedonisë.

Zbatimi i Marrëveshjes, thotë analisti i Institutit amerikan të Paqes, Daniel Serwer, ka arritur shumë nga këto objektiva: "Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit nuk ka qenë i kënaqshëm në disa fusha. Megjithatë, ajo që Marrëveshja synonte ishte t’i jepte zë komunitetit shqiptar dhe ta bënte këtë duke mos u mohuar të drejta komunitetit maqedonas. Nëse e shikojmë në këtë kornizë të gjerë, atëherë mund të themi se zbatimi i Marrëveshjes ka qenë i mirë," thotë Daniel Serwer i Institutit amerikan të Paqes.

Decentralizimi është faza e fundit dhe më e ndërlikuara e Marrëveshjes së Ohrit. Kritikët e marrëveshjes kanë ngritur shpesh pretendimin se decentralizimi krijon shoqëri paralele dhe minon përpjekjet për forcimin e shoqërisë civile në Maqedoni. Analisti Serwer u kundërvihet këtyre shqetësimeve, duke theksuar se stabiliteti politik dhe social që ka krijuar Marrëveshja e Ohrit do të ndikojë pozitivisht edhe në forcimin e shoqërisë civile. "Nuk mendoj se i ka thelluar ndarjet etnike. Prej kohësh maqedonasit dhe shqiptarët kanë jetuar në realitete paralele dhe të ndara. Mendoj se ky realitet duhet të ndryshojë dhe mendoj se po ndryshon gradualisht. Shoqëria civile nuk ndërtohet për një ditë, kjo ndodh kur demokracia arrin një nivel pjekurie," thotë zoti Serwer.

Suksesi i synimeve të Marrëveshjes së Ohrit për ruajtjen e integritetit të Maqedonisë dhe krijimin e një shteti funksional në një shoqëri shumetnike është tani në dorën e vetë udhëheqjes në Maqedoni, thotë Bon Hand. Ai u bën thirrje forcave politike si maqedonase, ashtu edhe shqiptare që të mos përqëndohen më në politikat etnike, por në parimet integruese të Marrëveshjes: "Shpresoj se tani që po futemi në fazën jo më të miratimit të kornizës ligjore, por edhe të zbatimit të saj, si udhëheqja maqedonase, ashtu edhe ajo shqiptare duhet të tregohen më të angazhuara për të theksuar aspektet integruese të Marrëveshjes së Ohrit që të vënë në jetë të drejtat e individit, për hir të stabilitetit të vendit," thotë këshilltari i Komisionit amerikan të Helsinkit, Bob Hand.

Komuniteti ndërkombëtar e përshëndeti dje suksesin e deritanishëm në zbatim të Marrëveshjes së Ohrit dhe ritheksoi zotimin e tij për mbështetje të mëtejshme për Maqedoninë në rrugën e integrimit euro-atlantik.

XS
SM
MD
LG