Lidhje

Vlerësimet për filmin e ri "World Trade Center"


Filmi i regjisorit Oliver Stone, World Trade Center filloi të shfaqet këtë janë në Shtetet e Bashkuara. Ai është filmi i dytë i Hollivudit këtë vit që dokumenton ngjarjet e 11 shtatorit 2001. Filmi del vetëm katër javë para përvjetorit të pestë të sulmeve terroriste. Ai ka marrë vlerësime pozitive nga kritikët e filmit ndërsa disa anëtarë të familjeve të viktimave kanë shprehur mendime të ndryshme.

Carie Lemack e ka patur të vështirë të shkojë në kinema këtë vit. E ëma e saj vdiq në 11 shtator 2001 në sulmet terroriste. Vetëm shfaqja e reklamave për filmin World Trade Center mjaftoi për t’i kthyer asaj përsëri emocionet."Nuk dua të shoh vrasësit e nënës time. Nuk dua ta rijetojë atë kohë sa herë që shkoj në kinema", thotë Carie. Por fokusi i filmit World Trade Center nuk është nëna e Carie Lemack, shkaqet apo pasojat e sulmit më vdekjeprurës në

Filmi trajton historinë e dy oficerëve të policisë së Nju Jorkut – Will Jimeno dhe Mike McLoughlin të cilët arrijnë të mbijetojnë në rrënojat e dy kullave. Ata janë dy nga njerëzit e fundit të nxjerrë gjallë prej tyre."Historia jonë është njësoj si të tjerat. Ndryshimi i vetëm është se ishim të groposur aty dhe ishim vetëm ne të dy që mbijetuam. Këtë fakt e zbuluam një vit më vonë", thotë Will.

Regjisori i filmit Oliver Stone, është i njohur për filmat dramatik që kanë ngjalalur polemika si JFK dhe Nixon. Por debati mungon ndjeshëm në filmin World Trade Center. Stone thotë se është thjesht historia e dy njerëzve që mbijetuan një ngjarje që po humbet nga kujtesa e njerëzve vetëm pesë vjet më vonë."Shumë gjëra janë harruar. Filmi ka shumë detaje që do t’i bëjnë njerëzit t’i kujtojnë ato që ndodhën", thotë regjisori Stone.

Përpjekja e tij për të zgjuar kujtesën e njerëzve ndërthuret me vendosmërinë për përpikmëri historike. Jo vetëm që Will Jimeno është personazhi qendror i filmit, por ai dhe Mike McLoughlin ishin ndihmësa teknikë në xhirime e filmit."Hollivudi, Oliver, Paramount, Double Feature Films, të gjithë i gërshetuan planet, i lanë mënjanë egot dhe thanë: e dini çfarë, i kemi talentet dhe duhet ta realizojmë këtë film jo vetëm për Amerikën por për mbarë botën dhe e bënë atë", thotë Will.

Aktori Nicholas Cage mori pjesë në premierën e filmit në New York përkrah me Mike McLoughlin, personazhi që ai luan në film. Shumë nga njerëzit e tjerë të portretizuar në film gjithashtu panë për herë të parë filmin të përfunduar. Scott Fox ishte një nga të parët që nxorri Will dhe Mike nga rrënojat. "Kjo botë e vogël në të cilën jetojmë mund të na ikë në çdo moment dhe ky është një film që na e kujton këtë fakt. Filmi është një realizim i mirë dhe të mban larg të qënurit i vetkënaqur", thotë Scott.

Skenaristi Andrea Berloff thotë se ky është vlerësimi më i rëndësishëm. "Jam shumë i kënaqur që të gjithë policët dhe zjarrëfikësit të përfshirë e pëlqyen filmin. Një nga zjarrëfikësit më tha se filmi e ngushëlloi. Kjo më prek". Nje njeri që kërkon ende ngushëllim është ai që udhëhoqi qytetin përmes krizës, ish kryetari i bashkisë Rudy Guliani. "Mua më ndihmon ta rijetojë ngjarjen. Për mua është si një formë terapie, më ndihmon të flasë për të. Mendoj se është diçka e mirë për njerëzit ta kujtojnë atë ditë. Është e rëndësishme të përballemi me realitetin. Ky është realiteti dhe është e rëndësishme të përballemi dhe të gjejmë rrugëzgjidhje", thotë zoti Guliani.

Filmi ka marrë lëvdata nga kritikët për përshkrimin e ngjarjeve. Shumë anëtarë të familjeve të viktimave kanë thënë se do ta shohin filmin. Disa të tjerë si Monica Iken, do të donin të shikonin që organizatat e 11 shtatorit të merrnin më shumë përfitime. "Në se filmi pritet mirë, duhet që disa nga të ardhurat t’ia kalojë muzeut dhe memorialit që duhet të mirëmbahen me kalimin e kohën dhe që kanë nevojë për para", thotë zonja Iken. Paramount Pictures thotë se do të dhurojë 10 përqind të të ardhurave nga pesë ditët e para të shfaqjes organizatave bamirëse. Filmi fillon të shfaqet këtë javë në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën në shtator.

XS
SM
MD
LG