Lidhje

Bush: Komploti, kujtesë e zymtë për amerikanët se terroristë vazhdojë planet për t'i vrarë ata


Presidenti Bush tha se komploti për të hedhur në erë avionët nga Britania në drejtim të Shteteve të Bashkuara ishte një kujtesë e zymtë për amerikanët se terroristët vazhdojnë të komplotojnë për t’i vrarë ata. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Scott Stearns, njofton se demokratët e opozitës thonë se mënyra e drejtimit të luftës në Irak nga ana e presidentit po konsumon burimet e ushtrisë amerikane për të luftuar terrorizmin.

Presidenti Bush tha se autoritetet amerikane dhe britanike besojnë se arrestimi i më shumë se 30 personave ka shkatërruar dukshëm kërkënimin terrorist, por zyrtarët nuk janë të sigurtë në se ky kërcënim është eliminuar. “Ky komplot është një dëshmi tjetër se terroristët me të cilët përballemi janë të sofistikuar, dhe vazhdimisht ndryshojnë taktikat e tyre. Më 11 shtator 2001, ata përdorën biçakët për të rrëmbyer avionët dhe vranë mijëra njerëz të pafajshëm. Këtë herë, besojmë se po planifikonin të përdornin eksplozivë të lëngët për të hedhur në erë avionët në fluturim”, tha presidenti.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti kërkoi të lidhte këtë kërcënim me kryegritjet në Afganistan dhe Irak, dhe Hezbollahun në Libanin e jugut. Zoti Bush tha se kjo është pjesë e një lufte më të gjerë kundër terroristëve, ligësia e të cilëve është e qartë për të gjithë. “Terroristët përpiqen të rrëzojnë avionët e mbushur me burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm. Ata vrasin civilët dhe ushtarët amerikanë në Irak dhe Afganistan, ndërsa qëllimisht fshihen pas civilëve në Liban. Ata po kërkojnë të përhapin ideologjinë e tyre totalitare. Ata kërkojnë të sundojnë në vende si Afganistani dhe Iraku, në mënyrë që të kenë strehë nga ku mund të sulmojnë vendet e lira.”

Zbulimi i komplotit e ka vënë sigurinë kombëtare përsëri në qendër të politikës amerikane përpara zgjedhjeve të nëntorit për në Kongres. Republikanët thonë se kjo tregon zgjuarsi në vendimin për të mbajtur trupat në Irak dhe Afganistan, pasi ata luftojnë armikun jashtë vendit, që do të ishte duke sulmuar Amerikën.

Demokratët thonë se lufta në Irak po konsumon burimet për luftën kundër terrorizmit. Në fjalimin në radio të partisë demokrate, senatori i Arkansas Mark Pryor tha se presidenti e ka drejtuar me dobësi luftën, që po tërheq më shumë se 300 miliardë dollarë nga fondet për luftën kundër terrorizmit. “Kemi nevojë për një drejtim të ri. Ka ardhur koha që Uashingtoni të jetë i prerë dhe i zgjuar ndaj kërcënimeve me të cilat përballet. Amerikanët meritojnë siguri reale dhe jo thjesht udhëheqës, që flasin prerë por dështojnë në zbatim.” Senatori Pryor thotë se demokratët besojnë se qeveria duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur amerikanët duke shtuar buzhetin për përgjigjet e emergjencës dhe kontrollin e të gjitha ngarkesave në avionë dhe anije. Ai thotë se njesitë e Gardës Kombëtare nuk kanë pajisjet e duhura, kufijtë e Amerikës nuk janë të sigurtë, Korea e Veriut dhe Irani vazhdonë ambicjet e tyre për të zotëruar armë bërthamore dhe Osama bin Laden ende nuk është kapur.

Presidenti Bush tha se është fatkeqësi që disa sugjerojnë se kërcënimet terroriste po përdoren për avantazhe politike të partive. Zoti Bush tha se ka ndryshime legjitime midis republikanëve dhe demokratëve rreth mënyrës më të mirë për të luftuar terrorizmin, por nuk duhet të ketë asnjë mosmarrëveshje rreth rrezikut me të cilin përballen amerikanët.

XS
SM
MD
LG