Lidhje

Kostoja e korrupsionit në korporata


Kompanitë gjigande Enron dhe Worldcom na vijnë shpesh ndër mend si shembuj tipikë të korrupsionit në korporata. Por disa analistë thonë se korrupsioni në botën e biznesit është më i zakonshëm dhe më pak i bujshëm nga sa mendon shumica.

Firma energjitike Enron, me bazë në Shtetet e Bashkuara njoftoi fitime prej më shumë se 100 miliard dollarësh në vitin 2000. Këshut, falimentimi vjet i Enronit, shtangu rrethet financiare. Shumë punonjës humbën vendet e punës dhe pensionet. Shumë aksionerë humbën të gjitha kursimet e tyre për shkak të falimentimit më të madh në historinë amerikane. Zyrtarë të lartë të Enronit u dënuan më vonë për praktika mashtruese me llogaritë e kompanisë dhe për përpjekje për fshehjen e qindra-milionë dollarëve borxhe.

Më pas i erdhi radha kompanisë Worldcom. Kjo kompani telekomunikacionesh ishte ndër më të fuqishmet e botës. Por një inspektor nga Komisioni Amerikan i Bursës zbuloi se zyrtarë të kompanisë e kishin fryrë vlerën e saj prej rreth 11 miliardë dollarësh.

Një seri rastesh të tjera pasuan, përfshirë zbulimin e shpenzimeve të tepruara në drejtimin e kompanisë Tyco International – konglomerat shumëkombësh – dhe shfrytëzim informacioni të pautorizuar për publikun nga figura njohur e televizionit amerikan, Martha Stewart.

Abuzimet çuan në vendosje standartesh të reja kontabël. Por Wendell Rawls, drejtues i Qendrës për Integritet Publik në Washington DC, thotë se korrupsioni në korporata nuk është gjë e re.

“Kjo ndodh prej 150 vjetësh. Rockefeller-ët, Morgan-ët, Vanderbiltët - të gjithë po bënin të njëjtën gjë në fund të shekullit të 19-të e në fillim të 20-tës. Ata nxirrnin përfitime të mëdha, prandaj edhe quheshin baronë grabitës”.

Kimberly Eliott ka shkruar një libër mbi korrupsionin në ekonominë globale. Ajo thotë se shkeljet në korporata janë të pranishme edhe përtej brigjeve të Amerikës.

“Disa vende evropiane lejonin korporatat të përfitonin shkurtime në taksa pasi jepnin rryshfet. Kjo ka qenë në fakt një mënyrë normale biznesi, por që nuk lejohet më”.

Bankieri Wang Xuebing, dikur i cilësuar si në krye të përpjekjeve për modernizimin e Kinës, u dënua në 2003-shin për mitëmarrje dhe dhurata të shtrenjta zyrës së Bankës së Kinës në New York. Wang u dënua me 12 vjet burg e 20 milionë dollarë gjoba.

Sivjet, presidenti i Korporatës Hunday Motor, Chung Mong-koo, u arrestua nga autoritetet koreano-jugore për përvetësim të miliona dollarëve. Analistët thonë se nuk ekziston ndonjë mënyrë për vlerësimin e kostos së vërtetë të korrupsionit. Por ekspertja Kimberly Elliott thotë se ndikimi i tij në shoqëri është i qartë.

“Mund të vësh re në rrafshin cilësor në vende të varfëra ku të sëmurët nuk sigurojnë ilaçe, pasi ato janë hedhur në tregun e zi, ose në rastin kur mësuesit nuk dalin në punë, nëse prindërit nnuk paguajnë. Mund të shihet tek fabrikat e çimentos, të cilat janë ndërtuar por nuk kanë punuar asnjëherë, sepse në të vërtetë nuk ka patur nevojë për to”.

Efektet e korrupsionit janë të ndryshme, por po aq të përhapura në vendet në zhvillim, thotë Wendell Rawls i Qendrës për Integritet Publik.

“Korrupsioni i korporatave çon në çmime më të larta, në efektshmëri më të vogël prodhimi, në vlerë më të ulët të aksioneve të kompanisë, në pensione më të ulëta. Korrupsioni i koorporatave, pra, sjell përfitime zakonisht më të ulëta, sepse shpenzohen më shumë para për avokatët”.

“Këto skandale në koporata, si tek Enron, Tyco etj., pra, të gjitha bashkë, bënë që vlera e aksioneve të bjerë si grup”, thotë profesori Peter Morici

Ai i quan të tepruara reformat që pasuan me gjithë ndalimin e skandaleve në bursë. Ai thekson se zyrtarë të Enronit u dënuan për rregulla që ekzistonin përpara se deputetët amerikanë të ndryshonin ligjin që shtonte përgjegjësitë për drejtuesit kryesorë, pjesëtarët e bordeve dhe revizorët.

“Nuk është e nevojshme t’u tregojmë imtësitë e profesionit llogaritarëve amerikanë duke u vënë nga një revizor mbi kokë duke u treguar rregulloren për çdo veprim”.

Wendell Rawls, fitues i Çmimit Pulitzer për gazetari investigave, mendon se duhen ligje më të forta. Por, thotë ai, mënyra më e mirë për të pakësuar korrupsionin është bërja e tij publike.

“Duhen gjurmuar ata që përpiqen t’i shmangen ligjit dhe qeveria duhet të mbahet përgjegjëse në çdo nivel. Kushdo që përfiton në kurriz të amerikanëve ose të tjerëve në botë, duhet të nxirret para përgjegjësisë për mënyrën se si i nxjerrin të ardhurat e tyre, në kurriz të kujt e në ç’rrugë”.

Analistët thonë që rasti i Enronit nxori në dritë se shumë prej kompanive më të sukseshme amerikane gjatë bumit të tregut të aksioneve në vitet 90-të ishin më pak të rëndësishme nga ç’mendohej. Një ish-prokuror federal tha se, që besimi i blerësve të aksioneve të kthehet, është e rëndësishme të bëhen publik dhe të ndëshkohen përgjegjësit e shkeljeve në koporata.

XS
SM
MD
LG