Lidhje

Avionët izraelitë godasin periferinë e Bejrutit


Avionët izraelitë goditën sot periferinë e Bejrutit. Seria e fundit e sulmeve ajrore u zhvillua disa orë pasi të paktën 18 shpërthime masive troditën qytetin. Këto sulme, nga më të rëndat deri tani, goditën Bejrutin, ndërsa zyrtarë izraelitë njoftuan se kabineti në Tel Aviv kishte miratuar armëpushimin e Kombeve të Bashkuara. Të paktën një fëmijë u vra nga këto sulme. Zyrtarë libanezë thonë se nga sulmet e mëparshme në mbarë vendin humbën jetën të paktën 10 civilëve.

Ndërkohë, zyrtarë izraelitë thonë se guerriljet Hezbollah qëlluan me 250 raketa territorin izraelit, numri më i madh në një ditë të vetme. Raketat qëlluan Haifa dhe pjesë të tjera të Izraelit verior dhe vranë të paktën një civil. Në terren, 30 mijë ushtarë izraelitë po luftojnë kundër guerriljeve Hezbollah në Libanin e jugut. Sot u vranë gati 30 ushtarë izraelitë, dita me luftimet më të ashpra që nga fillimi i konfliktit. Ai thotë se armëpushimi duhet të hyjë në fuqi nesër në 5 të mëngjesit sipas Grinuiçit.

Pas diskutimesh e debatesh prej pesë orësh, kabineti izraelit miratoi rezolutën e Kombeve të Bashkuara për armëpushim, e cila u miratua parmbrëmë vonë nga Këshilli i Sigurimit. Duke folur pas votimit në kabinetin izraelit, ministrja e jashtme, Tzipi Livni, tha se marrëveshja për armëpushim do të ndryshojë rregullat e lojës ndërmjet Izraelit dhe Libanit. “Trupat izraelite do të tërhiqen nga Libani vetëm kur ushtria libaneze dhe trupat ndërkombëtare të dislokohen në zonën jugore të vendit dhe në fund të fundit armëpushimi duhet të çojë në çarmatosjen e Hezbollahut”, tha Ministrja e Jashtme Livni. Ajo thotë se Izraeli nuk do të heqë dorë nga objektivi i tij për lirimin e ushtarëve të tij, kapja e të cilëve nga militantët e Hezbollahut më 12 korrik i dha shkëndijën krizës së tanishme.

Sipas marrëveshjes, Izraeli dhe Hezbollahu duhet të bien dakord për t’i dhënë fund operacioneve ushtarake. 15 mijë forca të tjera paqeruajtëse do t’u bashkohen forcave të Kombeve të Bashkuara për të ndihmuar trupat libaneze në objektivin e tyre për ndalimin e furnizimeve të Hezbollahut me armë.

XS
SM
MD
LG