Lidhje

Britania ul një shkallë më poshtë nivelin e kërcënimit terrorist


Britania ka ulur nivelin e gadishmërisë që vendosi javën e kaluar kur agjentët britanikë arrestuan 24 të dyshuar për një komplot për të sulmuar avionë që do të udhëtonin për në Shtetet e Bashkuara.

Sekretari i brendshëm britanik John Reid tha sot se niveli i rrezikshmërisë është ulur nga kritik, më i larti në Britani, në të lartë. Por ai inkurajoi publikun që të vazhdojë të jetë vigjilent dha tha se rreziku i një sulmi vazhdon të jetë i pranishëm.

Autoritetet amerikane thanë sot se edhe ata po e ulin nivelin e kërcënimit për fluturimet nga Britania.

Para katër ditësh autoritetet britanike njoftuan se policia kishte zbuluar një komplot për të hedhur në erë me eksplozivë të lëngshëm deri në 10 avionë me destinacion Shtetet e Bashkuara.

23 të dyshuar janë nën arrestin britanik dhe shtatë të tjerë thuhet se janë burgosur në Pakistan. Një nga të ndaluarit e Pakistanit thuhet se ka lidhje me al-Kaidën në Afghanistan.

Ndërkohë, Britania dhe Shtetet e Bashkuara kanë zbutur procedurat e vendosura javën e kaluar në aeroportet ndërkombëtare pas zbulimit të komplotit në Londër.

Autoritetet britanike thanë sot se do të lejojnë pasagjerët të marrin me vete një çantë të vetme në madhësinë e leptapit. Por pasagjerët nuk do të lejohen të marrin me vete lëngje, përveç ilaçeve dhe ushqimit të fëmijëve.

Në bazë të rregullave të reja, mjetet elektronike, duke përfshirë edhe kompjuterat leptap, duhet të kontrollohen nga personeli i sigurimit të aeroportit.

Edhe autoritetet amerikane për sigurinë e aviacionit e zbutën ndalimin thuajse të plotë të lëngjeve, duke i lejuar udhëtarët e linjave ajrore të marrin me vete në avion sasi të vogla ilaçesh të lëngët.

Dje, Administrata e Sigurisë së Transportit njoftoi gjithashtu se udhëtarët në Shtetet e Bashkuara duhet të heqin këpucët për skanim sa herë që kalojnë nëpër portat e sigurisë në aeroporte.

XS
SM
MD
LG