Lidhje

Studim mbi diabetin; Sjellja ndaj fëmijëve përcakton karakterin e tyre.


Studim mbi diabetin

Një studim i kohëve të fundit tregon se analiza për matjen e nivelit të sheqerit në gjak pas ngrënies së ushqimit, mund të jetë më e efektëshme për përcaktimin e rrezikut nga sëmundjet e zemrës tek pacientët që vuajnë nga diabeti.

Dihet se parametrat bazë për përcaktimin e shëndetit janë pesha trupore, tensioni i gjakut dhe temperatura e trupit. Por për personat me diabet, është kontrolli i sheqerit në gjak ai që përcakton shëndetin dhe tani disa specialistë të mjekësisë thonë se analiza e gjakut për matjen e nivelit të sheqerit mund të jetë më e efektëshme pas ushqimit.

Për njerëzit me diabet, gjithmonë është rekomanduar që këto analiza të bëhen para ushqimit, por studimet e reja vënë në dukje se analiza e gjakut pas marrjes së ushqimit është gjithashtu mjaft e rendësishme për përcaktimin e rrezikut të sëmundjeve të zemrës.

Studimi me pjesmarrjen e pacientëve me diabet tregoi se rreth 60 përqind e tyre rrallë i përdorin rezultatet e analizave të sheqerit në gjak për të përcaktuar masën e racioneve të ushqimit, ndërsa rreth 50 përqind e tyre i përdorin rregullisht këto rezultate për të zgjedhur llojin e ushqimit. Gjithashtu, vetëm 33 përqind e këtyre pacientëve e masin nivelin e sheqerit në gjak pasi kanë ngrënë ushqim. Pacientja Grace Govia thotë se matja e nivelit të sheqerit në gjak pas ushqimit e ndihmon atë të përcaktojë masën e racionit, përzgjedhjen e ushqimit dhe llojin e ilaçeve për të kontrolluar diabetin.

Për të ndihmuar pacientët që të shohin lidhjen midis ushqimit dhe sheqerit në gjak, ekziston një pajisje e quajtur OneTouch Ultra 2, e cila mbikqyr glukozën në gjak

Sjellja ndaj fëmijëve

Për të ditur se çfarë t’u thuash fëmijëve dhe si t’ua thuash atë është një sfidë e përherëshme prindërore. Fatkeqësisht, disa fjalë qoftë edhe nga mënyra sesi thuhen mund të shkaktojnë dhimbje emocionale që lënë gjurmë gjatë gjithë jetës.

Studimi i ri tregon se komentet negative rreth peshës trupore, pamjes së jashtme ose ndaj mënyrës së të ngrënit që bëhen nga prindërit apo pjestarë të familjes mund të prekin rëndë vetbesimin e një fëmije. Kjo dukuri vihet re më shumë tek vajzat sesa tek djemtë, thuhet në studim.

Autorët e studimit intervistuan 450 vajza që kishin probleme me pamjen e jashtme, pra ishin pak të shëndosha apo hanin ose flisnin shumë. Rezultatet treguan se 80 përqind e tyre thane se kur kishin qënë të vogla, ato ishin përballur me komente negative rreth pamjes së jashtme, ose kishin provuar fjalë fyese si dembele, e shëmtuar apo budallaqe. Ekspertët thonë se komente të tilla janë tepër të dëmshme dhe i bëjnë fëmijët të ndjehen të keqtrajtuar emocionalisht, dhe krijojnë çrregullime në oreksin e tyre.

Studimi arriti në përfundimin se ndikimi i kritikave, veçanërisht ndaj mbipeshës apo pamjes së jashtëme të fëmijës ishte akoma më i keq kur komentet bëheshin nga nëna më shumë sesa nga pjestarët e tjerë të familjes.

Ndjenja e vetbesimit është një karakteristikë që krijohet me vështirësi, thuhet në studim, prandaj një koment apo kritikë pa takt, një fjalë fyese pa qëllim, sjellin pasoja afatgjate në jetën e fëmijëve.

XS
SM
MD
LG