Lidhje

Autoritetet britanike kërkojnë zgjatjen e periudhës së arrestit për të dyshuarit për komplotin terrorist


Autoritetet britanike i kërkuan sot një gjykatësi britanik autorizim për të vazhduar të mbanin nën arrest persona të dyshuar në lidhje me komplotin terrorist për të hedhur në erë një numër avionë pasagjerësh që udhëtonin për në Shtetet e Bashkuara.

Sipas ligjit britanik, policia ka afat deri në përfundim të ditës së sotme për të ngritur akuza ndaj të ndaluarve, ose përndryshe duhet t’i lirojë ose të kërkojë leje nga gjykata për mbajtjen e tyre më gjatë nën arrest. Të dyshuarit mund të mbahen deri në 28 ditë pa u paraqitur akuza ndaj tyre.

24 vetë janë ndaluar nga autoritetet britanike ndërsa 7 të tjerë janë ndaluar nga autoritetet pakistaneze.

Para seancës së sotme gjyqësore, shtatë ministra të Bashkimit Evropian u takuan në Londër për bisedime lidhur me përmirësimin e sigurisë në transportin ajror. Bisedimet përfshinin plane për të krijuar një sistem më të mirë për shkëmbimin e informatave ndërmjet vendeve anëtare si dhe studime të reja lidhur me lëndët plasëse.

Sekretari i Brendshëm britanik John Reid tha se e gjithë Evropa ndeshet me atë që ai e cilësoi si një kërcënim të vazhdueshëm dhe real nga terrorizmi.

XS
SM
MD
LG