Lidhje

OKB-ja diskuton mbi përbërjen e forcës ndërkombëtare për Libanin

  • Barbara Schoetzau

Zyrtarë nga vende që kanë ofruar të dërgojnë trupa në Liban do të mblidhen sot në Kombet e Bashkuara për të përcaktuar madhësinë dhe përbërjen e forcës ndërkombëtare, e cila do të ndihmojë ushtrinë libaneze në Libanin e jugut.

Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara shpresojnë që 3 mijë e 500 trupat do të mbrrijnë në Libanin e jugut brënda 10 ditësh për të përforcuar 2 mijë trupat e forcës së OKB-së tashmë në atë vend. Rezoluta e Këshillit të Sigurimit, që u dha fund luftimeve midis Izraelit dhe Hezbollahut, autorizon dislokimin e një force që mund të përfshijë deri në 15 mijë trupa ndërkombëtare për të ndihmuar 15 mijë ushtarët libanezë, që po dërgohen në jug të vendit.

Ambasadori amerikan në OKB, John Bolton tha se duhet të garantohet siguria nga një forcë e OKB-së para se të fillojë tërheqja e Izraelit.

“Rezoluta autorizon një sërë veprimtarish paralele me dislokimin e forcës ndërkombëtare e që janë dislokimi i forcave të armatosura libaneze dhe tërheqja e forcave izraelite. Komandantët në teren duhet të vendosin se kur duhet të fillojnë këto veprime paralele dhe këtu ngrihet një pyetje: A do të krijojë tërheqja e Izraelit një vakum, i cili do të lejonte Hezbollahun të hynte përsëri në zonë, diçka që ne duam të shmangim.”

Ministrja e jashtme izraelite Tzipi Livni u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, për të diskutuar mbi zbatimin e rezolutës. Ajo tha se një embargo armësh është shumë e rëndësishme për suksesin e rezolutës dhe të ardhmen e rajonit.

“Embargoja nuk është vetëm në interesin e Izraelit por edhe të Libanit. Askush nuk mund të flasë rreth çarmatimit të Hezbollahut kur ndërkohë ne shikojmë një proces riarmatimi të Hezbollahut. Është e nevojshme që kjo embargo të jetë e efektshme. Ruajtja e kufirit nga forcat libaneze nuk është e mjaftueshme. Ne presim që forca e re ndërkombëtare do të ndihmojë qeverinë libaneze të vëzhgojë kufijt ndërkombëtarë për të parandaluar Iranin dhe Sirinë që të riarmatosin Hezbollahun.”

Çështjet rreth madhësisë dhe përbërjes së forcës ndërkombëtare do të sqarohen gjatë takimit të sotëm të vendeve që do të dërgojnë trupa. Ndërkohë, zoti Anan do të dërgojë sot një mision të nivelit të lartë në Izrael dhe Liban për të siguruar zbatimin e plotë të rezolutës. //ze

XS
SM
MD
LG