Lidhje

Bërns: kriza në Liban i shtoi shqetësimet rreth Iranit

  • David Gollust

Diplomati i lartë amerikan, Nikolas Bërns, tha dje se ai pret që Kombet e Bashkuara të veprojnë shpejt për të vendosur sanksione, në rast se Irani nuk përmbush kërkesën e Këshillit të Sigurimit për ndalimin e pasurimit të uraniumit. Irani ka afat deri më 31 gusht t’i përgjigjet rezolutës së Këshillit të Sigurimit.

Nën-sekretari Nikolas Bërns, numri dy i Departamentit të Shtetit, thotë se kriza në Liban vetëm sa i shtoi shqetësimet mbi sjelljen e Iranit dhe ai shpreh besimin se Teherani do të përballet me sanksione nëse do të shkelë rezolutën e Këshillit të Sigurimit mbi çështjen bërthamore.

Në fund të muajit të kaluar Këshilli i Sigurimit i dha afat deri më 31 gusht Iranit të ndërpresë aktivitetin e tij bërthamor, i cili besohet gjerësisht se lidhet me prodhimin e armëve bërthamore, në të kundërt do të përballet me sanksione.

Në një bisedë me gazetarët, zoti Bërns tha se Shtetet e Bashkuara kanë një marrëveshje me anëtartët e tjerë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, përfshirë Rusinë dhe Kinën, për të kërkuar sanksione nëse Irani nuk zbaton rezolutën.

Ai shtoi se ndëshkimet në bazë të Artikullit 7 të Kartës së Kombeve të Bashkuara do të jenë të merituara dhe se vullneti i shumë vendeve për t’ju kundërvënë Iranit është forcuar nga ato që zoti Bërns i cilësoi si përpjekje për të destabilizuar Libanin dhe Izraelin, gjatë javëve të fundit.

Irani ka dhënë shenja të paqarta mbi qëllimet e tij. Ministri i jashtëm i vendit, Manusher Motaki, tha këtë javë se qeveria e tij mund të pranojë të hyjë në bisedime për ndalimin e pasurimit të uraniumit, ndërsa zyrtarë të tjerë kanë insistuar se Irani nuk do të heqë dorë nga ajo që ata e quajnë e drejta për të prodhuar energji bërthamore për qëllime paqësore.

Nën-sekretari Bërns, nuk specifikoi se çfarë mund të përmbajë paketa e sanksioneve. As zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tom Kejsi, nuk dha hollësi në një konferencë shtypi, pas deklaratës së zotit Bërns. Zoti Kejsi theksoi se qëllimi i rezolutës nuk është venndosja e sanksioneve, por detyrimi i Iranit për t’iu përgjigjur shqetësimeve ndërkombëtare mbi programin e tij bërthamor.

“Pikësynimi nuk është vendosja e sanksioneve, por ndryshimi i qëndrimit të Iranit pra që ai të zbatojë rezolutën e Këshillit të Sigurimit, rezolutat e mëparëshme të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore dhe marrëveshjet e mëparëshme të nënshkruara nga vetë Teherani me Bashkimin Evropian.”

Zoti Kejsi tha gjithashtu se ka ende kohë që Irani të ndryshojë qëndrim dhe t’i japë fund mospërfilljes ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Irani ka thënë se do t’i përgjigjet brenda 22 gushtit një oferte ndërkombëtare e cila përmban stimuj ekonomikë në shkëmbim të ndalimit të pasurimit të uraniumit.

Këshilli i Sigurimit caktoi 31 gushtin si afatin e përgjigjes së Iranit sepse nuk pati asnjë shenjë nga Teherani ndaj planit të stimujve të ofruar nga pesë anëterët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermania, i cili ju paraqit qeverisë së Teheranit më 6 qershor.

Një zyrtar i lartë amerikan i cili foli me gazetarët tha se Irani duhet të përgatitet për një proces sanksionesh me shumë faza, nëse nuk i bindet kërkesës së Këshillit të Sigurimit. Faza e parë do të përfshijë një kufizim të vizave dhe bllokimin e pasurive të udhëheqjes së Teheranit.

Zyrtarë të administratës pranojnë se mund të vendosen sanksione më të rënda, si ato ekonomike, jashtë Këshillit të Sigurimit për shkak të përdorimit të vetos nga Kina dhe Rusia të cilat mund të mos pajtohen me vendosjen e sanksioneve ekonomike.//ii

XS
SM
MD
LG