Lidhje

Sida, malarja dhe tuberkulozi - probleme madhore në disa rajone


Ekspertët në Konferencën e 16-të Ndërkombëtare të Sidës në Toronto të Kanadasë i kushtuan vëmendje të veçantë efekteve shkatërrimtare të këtyre epidemive të sidës, malarjes dhe tuberkulozit.

Malaria shkakton vdekjen e afro 4 milion vetëve në vit në Afrikë. Tuberkulozi dhe Sida vrasin 2 milion të tjerë. Studimet e reja arrijnë në përfundimin se prania e njëkohshme e këtyre 3 epidemive do të sjellë viktima më të shumta. Riçërd Fiçmen është Drejtor Ekzekutiv i Fondit Global: “Shumë persona të prekur nga virusi HIV vdesin nga tuberkulozi dhe shumë pacientë me tuberkuloz janë njëkohësisht edhe të prekur nga virusi HIV. Pra, ekziston një lidhje e ngushtë ndërmjet 2 patogjenëve. Lidhja e këtyre sëmundjeve me malarien po zbulohet tani dhe është objekt studimesh”.

Fondi Global kundër Sidës, Tuberkulozit dhe Malaries, me seli në Gjenevë, është një partneritet ndërmjet organizatave qeveritare, shoqërisë civile dhe sektorit privat. Ky fond ka shpenzuar 5 presje 5 miliardë dollarë në mbështetje të programeve që ka hapur në 132 vende. Zoti Fiçmen thotë se njerëzit nuk vdesin nga infektimi me HIV, por nga një tjetër infeksion që shkakton vdekjen, pasi sistemi imunitar është dobësuar. Shkaku më i zakontë i vdekjes për pacientët me HIV në botën në zhvillim është tuberkulozi.

Lusi Çesër është veprimtare e njohur kundër sidës në Afrikë. Ajo është nga Kenia dhe në rajonin e saj malaria është shndërruar në epidemi të rëndë. Ajo thotë se malarja është shkaku kryesor i vdekjes së fëmijëve, ndërsa Sida dhe tuberkulozi janë shkaktarët kryesorë të vdekjes së të rriturve. “Nuk kemi nevojë për studime që të konfirmojnë atë që duket qartë, pasi unë vij nga një vend me një numër të lartë rastesh me malarie. Ajo që kam mësuar gjatë viteve të fundit është se ata që janë prekur nga virusi HIV duhet të flenë me rrjetë mushkonjash apo kanupjerë, përndryshe preken nga malaria. Nëse ndodh kjo, si rrjedhojë e sistemit të dobësuar imunitar, malaria zgjat shumë kohë për t’u kuruar”.

Mjekët pohojnë se çdo sëmundje mund të jetë vdekjeprurëse nëse prek një pacient me sistem të dobësuar imunitar. Ende nuk janë prodhuar vaksina plotësisht të efektshme kundër tuberkulozit, malaries apo sidës. Ekspertët thonë se ky fakt thekson nevojën për një punë më të madhe për parandalimin e sëmundjeve. //az//

XS
SM
MD
LG