Lidhje

OKB-ja u bën thirrje evropianëve të kontribuojnë me më shumë trupa për forcën paqeruajtëse në Liban


Kombet e Bashkuara u bënë thirrje evropianëve të kontribuojnë me më shumë trupa për forcën paqeruajtëse shumëkombëshe në Libanin e jugut.

Dje në Nju Jork, Ndihmës-sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Mark Malloch Brown, tha se është shumë e rëndësishme që forca shumëkombëshe të jetë e pranueshme gjerësisht nga Izraeli dhe nga Libani. Ai tha se kjo forcë duhet të ketë pjesmarrjen si të vendeve myslimane ashtu edhe të atyre evropiane.

Kombet e Bashkuara shpresojnë të dislokojnë deri në 3500 trupa brenda dy javëve, por vendet evropiane ende nuk kanë vendosur përfundimisht se sa ushtarë do të dërgojnë.

Italia ka miratuar dërgimin e 3 mijë ushtarëve ndërsa Finlanda ka vendosur të dërgojë 250 trupa. Franca e cila pritej të dërgonte një kontingjent të madh, thotë se do të dërgojë 200 vetë.

Trupa kanë ofruar edhe Bangladeshi, Malajzia dhe Indonezia por Izraeli nuk e ka pranuar ushtarë nga Indonezia dhe Malajzia pasi këto vende nuk kanë marrëdhënie diplomatike me shtetin hebre.

PRESIDENTI BUSH KOMENTON

Presidenti Bush thotë se civilët në Libanin Jugor do të fajësojnë më në fund Hezbullahun për 33 ditët e luftimeve me Izraelin. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë, Skot Stërns, komentet e presidentit Bush bëhen ndërkohë që Hezbullahu filloi të ndihmojë mijëra civilë, të cilët po kthehen në Libanin e jugut në bazë të rezolutës së OKB-së për armëpushimin.

Presidenti Bush thotë se Hezbullahu ndihet si në shtëpinë e vet në Libanin Jugor, por kjo do të ndryshojë.

“Anëtarët e Hezbullahut jo vetëm që do të mësojnë se janë ata që shkaktuan shkatërrimin, por me praninë e ushtrisë libaneze dhe të forcave të OKB-së, nuk do të kenë hapësirë të lirë që ata menojnë se u nevojitet për të ndërmarrë sulme.”

Trupat e ushtrisë libaneze po rikthehen në jug të vendit pas afro 40 vjetësh. Ata pritet të shoqërohen nga 15 mijë trupa paqeruajtëse të një force ndërkombëtare e cila është në procesin e formimit.

Franca pritet të marrë udhëheqjen e këtyre forcave, por deri tani ajo ka njoftuar se planifikon të dërgojë vetëm 400 ushtarë në atmosferën e pikëpyetjeve që janë shtruar përsa u përket rregullave të këtyre trupave.

Duke folur për gazetarët në vend-pushimin presidencial, Kemp Dejvid, presidenti Bush tha se nuk është i shqetesuar per vonesat, pasi nevojitet kohë për marrëveshje diplomatike. Ai tha se shpreson që Franca të pranojë të dërgojë më shumë trupa.

Forca ndërkombëtare është e nevojshme për të parandaluar Hezbullahun të rigrupohet në zonat nga ku mund të ndërmarrë sulme me raketa kundër Izraelit Verior.

Që nga ndalimi i luftimeve, Hezbullahu ka qenë i zënë me shpërndarjen e të hollave tek njerëzit që kthehen në vendbanimet e tyre dhe me ndihmën për pastrimin e rrënojave të shkaktuara nga bombardimet izraelite.

Zyrtarët e administratës së presidentit Bush thonë se nuk çuditen që civilet libanezë e pranojnë ndihmën e dhënë nga Hezbullahu, por ata shtrojnë pyetjen se sa do të jenë në gjendje këto para që t’i sigurojnë Hezbullahut mbështetjen e nevojshme.

Presidenti Bush thotë se kur njerëzit të analizojnë me gjakftohtësi atë që ndodhi, do të kuptojnë se shkatërrimi u shkaktua nga ekstremistët e Hezbullahut, të cilët e filluan konfliktin me rrëmbimin e dy ushtarëve izraelitë.

“Reagimi i parë nga Hezbullahu dhe përkrahësit e tij është pa dyshim deklarimi i fitores. Mendoj se do të kisha vepruar në të njëjtën mënyrë, nëse do të isha në pozitën e tyre, tha presidenti Bush, por ndonjëherë njerëzve u duhet një periudhë kohe të mendojë më kthjellët lidhur me faktin se cila forcë sjell stabilitet dhe cila jo. Hezbullahu është një burim destabilizimi.”

Presidenti përsëriti se çështja është më e thellë dhe përfshin edhe mbështetjen e Sirise dhe të Iranit për Hezbullahun. Ai thote se kjo përkrahje ka synimin te krijojë një kaos të mjaftueshëm për të shfrytëzuar politikisht situatën.

Presidenti Bush tha gjithashtu se bashkësia ndërkombëtare nuk mund të lejojë që Damasku dhe Teherani të arrijnë qellimet e tyre. //ii

XS
SM
MD
LG