Lidhje

Ford Motor do të ulë ndjeshëm prodhimin e autoveturave


Kompania më e madhe amerikane e prodhimit të automjeteve, Ford Motor, tha dje se tre muajt e fundit të këtij viti do ta ulë ndjeshëm prodhimin e autoveturave e kamionëve në uzinat e saj të Amerikës së Veriut. Kompania po pëson humbje financiare, teksa humbet treg përballë firmave të huaja konkurrente.

Kompania Ford thotë se do ta ulë prodhimin tremujorin e fundit të vitit me 21 për qind për t’ia përshtatur atë kërkesës në rënie. Kompania me bazë në Detroit është goditur veçanërisht rëndë nga rritja e çmimit të benzinës gjatë dy vjetëve të fundit, ndërkohë që shumica e modeleve që prodhon, janë automjete të mëdha që shpenzojnë shumë karburant.

Rebecca Lindland, analiste në qendrën Global Insights në Filadelfia, thotë se gjysma e uljes së prodhimit së Fordit do të prekë prodhimin e kamionçinave që përbëjnë rreth gjysmën e shitjeve të kompanisë në Amerikën Veriore. Por ajo shton se kompania mund të mos jetë ndoshta as në gjendje të shesë të gjithë kamionçinat që ka prodhuar.

“Shpresa është tek ky numër automjetesh që janë inventar. Por edhe vetë kompania po e pranon se mund të mos jetë në gjendje të shesë 900 mijë kamionë sivjet”.

Fordi pritet të prodhojë sivjet vetëm 3 milionë autovetura dhe kamionë në Amerikën e Veriut - 9 për qind më pak se vitin e kaluar. Fordi zinte vendin e dytë në botë për nga prodhimi, që mbahet tashmë nga Toyota, e cila po ngushton me shpejtësi differencën me General Motors në vendin e parë. Fordi humbi vjet 2 miliardë dollarë në Amerikën e Veriut dhe ka në plan ta pakësojë fuqinë punëtore me 30 përqind gjatë tre vjetëve të ardhshme.

Në lajme të tjera nga bota e ekonomisë, Presidenti Bush tha dje se ekonomia amerikane po ecën në drejtimin e duhur duke përshpejtuar ritmet e saj me 4 për qind gjashtëmujorin e parë të vitit. Presidenti foli pas takimit me këshilltarët e tij më të lartë ekonomikë në Camp David, vendpushim presidencial në periferi të Washingtonit.

Por shumë ekonomistë thonë se ritmet e ekonomisë amerikane për gjashtëmujorin e dytë të këtij viti nuk do të jenë sa të gjysmës së parë. Ata thonë se ekonomia po ngadalësohet dhe se ajo do të rritet me vetëm 2,5 përqind.

Konsumatorët janë goditur rëndë nga çmimet më të larta të energjisë, interesa më të larta bankare dhe një ngadalësim të tregut të pasurive të paluajtshme që deri vonë po rritej me shpejtësi.

Çmimet e naftës bruto vazhdojnë të jenë mbi 70 dollarë për fuçi, katërfishi i çmimit të vitit 1999. Me zbutjen e tensioneve në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës ra këtë javë nga 78 dollarë për fuçi në diçka më shumë se 70 dollarë.//ii

XS
SM
MD
LG