Lidhje

Presidenti Bush në mbrojtje të politikave të tij ekonomike


Megjithë çmimet e larta të karburantit dhe shënjat e ngadalësimit të ekonomisë, presidenti George Bush tha se themelet e ekonomisë amerikane mbeten të forta. Duke folur nga pika presidenciale e pushimit në Maryland, zoti Bush tha se politikat e tij ekonomike po funksionojnë dhe u bëri thirrje ligjvënësve ti bëjntë të përherëshme shkurtimet e taksave.

Presidenti Bush u takua me këshilltarët e tij të lartë të ekonomisë dje dhe tha se ekonomia amerikane është në rrugën e duhur dhe vazhdon të jetë drejtuesja në botë. Zoti Bush tha se ekonomia u rrit me 4 përqind në gjysmën e parë të 2006ës, pjesërisht falë shkurtimit të taksave ndërmarrë nga administrata e tij. "Themeli i ekonomisë sonë është i fuqishëm dhe i qëndrueshëm. Miratimi i shkurtimit të taksave bëri që punëtorët dhe familjet amerikane po mbajnë paratë që fitojnë. Ata po i përdorin këto para për të nxitur ekonominë tonë", tha presidenti.

Raporti i fundit i Departamentit të Punës thotë se inflacioni i shitjeve me shumicë është nën kontroll, megjithëse u rrit vetëm me zero presje një përqind muajin e kaluar krahasuar me zero presje pesë një muaj më parë.

Duke folur në një aktivitet për grumbullim fondesh në fillim të javës, nënpresidenti Dick Cheney tha se ka shënja të tjera që tregojnë se politikat ekonomike të administratës po funksionojnë. "Vitin e kaluar, rritja ekonomike në Amerikë ishte më e madhja nga të gjitha vendet më të industrializuara në botë. Që nga gushti i 2003shit, kemi shtuar më shumë se 5,5 milion vende të reja pune. Niveli kombëtar i papunësisë është 4 presje 8 përqind, më i ulti nga mesatarja në vitet 70, 80 apo 90".

Por lajmi vjen në një kohë kur mbështetja për presidentin po bie. Sipas një ankete të Associated Press vetëm 37 përqind e amerikanëve miratojnë hapat e ndërmarrë nga presidenti për ekonominë.

Megjithë optimizmin e administratës, analisti i biznesit John Challenger thotë se ulja e fitimeve në disa korporata të mëdha sugjeron se ekonomia po ngadalësohet. "Ndërsa kompanitë e mëdha shohin ulje të kërkesave, zakonisht ekonomia ndjek të njëjtën rrugë", thotë analisti.

Me pagat e pandryshuara, ngadalësimin e shitjeve të shtëpive dhe konton e lartë të energjisë, presidenti pohon se ekonomia përballet me sfida. Por zoti Bush shprehu besim tek e ardhmja. "Në pesë vitet e fundit, ekonomia është përballur me sfida të paparashikuara që nga ngadalësimi tek skandali në korporatat tek sulmet terroriste apo katastrofat natyrore. Dhe megjithatë, sistemi ynë i lirë i biznesit ka provuar të jetë më gjallërusei dhe më reflektuesi në botë. Me shumë punë dhe politika të matura, ne do të kapërcejmë të gjitha sfidat përpara". Presidenti Bush i kërkoi gjithashtu Kongresit të bëjë të përhershëm shkurtimin e taksave që janë miratuar deri në vitin 2010.

XS
SM
MD
LG