Lidhje

Mendimet e analistëve për politikën amerikane në Lindjen e Mesme


Vazhdimi i dhunës në Irak, ridalja në skenë e talebanëve në Afganistan dhe luftimet e kohëve të fundit ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut duket se e kanë bërë objektivin për një paqe të qendrueshme në Lindjen e Mesme më të paarritshëm se kurrë më parë. Disa analistë vënë në diskutim qëllimin e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në rajon, ndërkohë që të tjerë e konsiderojnë atë thelbësor.

Para një viti, Lindja e Mesme, në një vëshjtrim më të gjerë, u përfshi nga ndryshime që premtonin demokraci, lidhje më të ngushta me perëndimin dhe prespektiva për një paqe të qendrueshme. Afganistani u çlirua nga shtypja talebane. Pas vdekjes së Yasser Arafatit, në krye të palestinezëve erdhi një figurë më e moderuar, Mahmoud Abbas.

Në Irak, tranzicioni politik i planifikuar nga amerikanët po përparonte me gjithë dhunën në rritje. Dhe Libani, pas largimit të trupave siriane, ishte gati të bëhej shembull demokratik për rajonin. Gjendja sot është kryekëput ndryshe. Talebanët në Afganistan po përpiqen të kthehen në skenë dhe të kërcënojnë sigurimin e këtij vendi me gjithë praninë e trupave të huaja. Iraku ndoshta po zhytet në luftë civile. Dhe luftimet e shpartalluan Libanin para se të mund të ngrihej i sigurtë në këmbët e veta.

Disa analistë thonë se Shtetet e Bashkuara mund të kishin bërë më shumë për të ndihmuar rajonin. Por Leon Hadar, studiues në Institutin Cato në Washington, thotë se ndërhyrja e huaj në rajon shkakton më tepër dëm se bën mirë. “Lufta në Irak është ilustrim i shkëlqyer. Shtetet e Bashkuara e shkatërruan Irakun, i cili ishte kundërpeshë e Iranit në rajon. Amerika inkurajoi fuqizimin e regjimit shiit pro-iranian në arenën politike të Bagdadit. Amerika inkurajoi zgjedhjet në Liban, që fuqizuan Hezbollahun. Si rezultat, Irani ka dalë si fuqi kryesore në Gjirin Persik dhe aletatët e vet, Hezbollahu, e, deri në një farë mase, Hamasi, vendosën të sfidonin aelatin e Shteteve të Bashkuara, Izraelin. Dhe Shtetet e Bashkuara po përpiqen sërish të përfshihen dhe zgjidhin këtë konflikt deri në konfliktin tjetër”, thotë analisti.

Zoti Hadar argumenton se kostoja e përfshirjes amerikane në rajon është më e lartë se përfitimet. Aleanca e Amerikës me Izraelin ka sjellë rritjen e ndjenjave antiamerikane në rajon dhe në mbarë botën. Në vend të Shteteve të Bashkuara, Evropa e Azia, debaton analisti, duhet të përfshihen më shumë në garantimin e qendrueshmërisë në Lindjen e Mesme, pasi ekonomitë e tyre varen tek nafta e rajonit, ndërsa ekonomia amerikane jo. Ai thotë se Amerika duhet të ndihmojë në vendosjen e një sistemi sigurimi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe të tërhiqen gradualisht nga rajoni. Por shumë analistë thonë se tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Lindja e Mesme do të sillte më shumë dhunë dhe do të vinte në rrezik ekonominë botërore. Për më tepër, shtojnë ata, Amerika përkrah qeveritë demokratike në botë, përfshirë Izraelin, e vetmja demokraci e vërtetë në Lindjen e Mesme.

Geoffrey Kemp, Drejtor i Programeve Strategjike Rajonale në Qendrën Nixon në Washington, thekson se, edhe pse Lindja e Mesme pjesën më të madhe të naftës së saj ia shet Evropës, Japonisë dhe Koresë, çmimi i naftës ndikon në ekonominë amerikane. “Nëse situata ndizet më tepër në rajonin e Gjirit Persik, nëse diçka i ndodh Arabisë Saudite, çmimi i naftës do të shkonte në stratosferë dhe ne do të vuanim njësoj si japonezët apo evropianët. Kështu që ne kemi një interes strategjik mjaft të rëndësishëm në qendrueshmërinë e rajonit të Gjirit, kryesisht se ne jemi aq të ndjeshëm ndaj çmimit të naftës”. Analisti Kemp thotë se askush nuk e ka fuqinë ushtarake dhe ekonomike të marrë rol udhëheqës në Lindjen e Mesme. Por, ai tërheq vëmendjen se ndikimi i Amerikës do të dëmtohet, nëse Shtetet e Bashkuara dështojnë në rolin e ndërmejtësuesit dhe të paqëruajtësit.

Disa kritikë thonë se politika amerikane në Lindjen e Mesme, e konsideruar gjithnjë e më shumë në favor të Izraelit, mund të shkaktojë dëme afatgjata në marrëdhëniet me botën myslimane. Senatori Chuck Hagel, republikan nga shteti i Nebraskës, kohët e fundit bëri thirrje për një pozicion më të balancuar të Shteteve të Bashkuara ndaj krizës në Lindjen e Mesme. “Lidhja jonë me Izraelin është e veçantë dhe historike, por nuk duhet dhe nuk mund të ushqehet në kurriz të marrëdhënieve të Amerikës me botën arabe e myslimane. Kjo është zgjedhje artificiale e papërgjegjshme dhe e rrezikshme. Arritja e një zgjidhjeje të qendrueshme për konfliktin arabo-izraelit është sa në interesin e Izraelit, ashtu edhe të çdo vendi tjetër në botë. Është në interesin e Izraelit, sa edhe tonin, që Amerika të konsiderohet e ndershme nga të gjitha vendet në Lindjen e Mesme. Vetëm kështu fitohet besimi”.

Senatori Hagel është dakord me një numër analistësh se një paqe e qendrueshme në Lindjen e Mesme nuk mund të arrihet pa angazhimin e dy fuqive kryesore rajonale: Irani dhe Siria. Por shumë analistë janë kundër negociatave me regjimet e këtyre dy vendeve, të njohura si përkrahëse të grupeve terroriste, si Hezbollahu. James Carafano në fondacionin Heritage në Washington thotë se negociata të tilla do të ishin moralisht të gabuara. “Një qendrim i ashpër ndaj Sirisë apo Iranit do të ishte qendrim parimor, që, në fund të fundit, do ta bënte botën më të sigurtë për të gjithë”. James Carafano thotë se proceset demokratike marrin kohë të gjatë, ndërkohë që ka edhe zbrapsje. Ai thotë se nuk mund të pritet që Shtetet e Bashkuara të zgjidhin në një kohë të shkurtër problemet e thella të rajonit. Por, shton ai, Amerika as nuk mundet t’i braktisë aleatët e vet në rajon, duke i lënë të vetëm të luftojnë kundër terroristëve.

XS
SM
MD
LG