Lidhje

Libani paralajmëron militantët të mos hedhin raketa kundër Izraelit

  • Margaret Beshir
  • Bejrut

Ministri libanez i mbrojtjes, tha dje se është i sigurt se Hezbullahu nuk do ta shkelë armëpushimin me Izraelin i cili u arrit me ndërmjetësinë e Kombeve të Bashkuara. Ai paralajmëroi gjithashtu për pasoja të rënda për cilindo që nuk respekton armëpushimin në Liban.

Paralajmërimi i ministrit libanez, Elias Murr, vjen një ditë pasi komandot izraelite ndërmorën një aksion në luginën Beka, të Libanit.

Sipas Izraelit, misioni kishte për qëllim të parandalonte Sirinë dhe Iranin të furnizonin me armë militantët e Hezbullahut, por zyrtarët libanezë dhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, e kritikoi operacionin si shkelje të armëpushimit të arritur një javë më parë.

“Çdo raketë e hedhur nga territori libanez do të cilësohet si bashkëpunim me Izraelin, sepse i jep Izraelit një pretekst të godasë Libanin. Çdo grup që nuk respekton armëpushimin do të akuzohet për tradhti dhe do të dënohet,” tha ministri libanez.

Zoti Murr tha gjithashtu se beson që Hezbullahu e ka marrë seriozisht rezolutën e OKB-së, e cila u dha fund luftimeve dhe se nuk do ta shkelë atë. Paralajmërimi i tij le të kuptohet se ai shqetësohet që fraksione të tjera, si grupe palestineze në Liban, mund të godasin Izraelin dhe të shkaktojnë një kundërpërgjigje.

Ministri libanez i mbrojtjes paralajmëroi në të njëjtën kohë se Izraeli do të përballet me ushtrinë libaneze nëse shkel përsëri armëpushimin. Ushtria libaneze filloi të enjten dislokimin e 15 mijë trupave në jug të vendit. Ajo nuk mori pjesë në luftimet midis Hezbullahut dhe Izraelit që zgjatën më shumë se një muaj.

I dërguari i posaçëm i OKB-së, Terje Roed Larsen, tha në Bejrut se operacioni izraelit ishte i padobishëm dhe se armëpushimi është i brishtë.

“Ne besojmë gjithashtu se për fat të keq gjendja është e tillë që mund të përmbyset lehtë, pra që në javët ose muajt e ardhëshëm mund të dalë jashtë kontrollit," tha zoti Larsen.

Kryeministri libanez, Fuad Siniora vizitoi dje për herë të parë periferinë jugore të shkatërruar të Bejrutit e banuar nga shiitë. Ai i cilësoi aktet e Izraelit si krime kundër njerëzimit.

“Libani do të rindërtohet dhe vendi do të ekzistojë megjithë dhunën e Izraelit," tha zoti Siniora.

Ministrat e jashtëm të Lidhjes Arabe, zhvilluan dje në Kajro një takim urgjent. Një zyrtar tha se ata do të diskutonin mbi hartimin e një plani për të krijuar një fond të Lidhjes Arabe, për rindërtimin e Libanit.//ii

XS
SM
MD
LG