Lidhje

Filloi gjyqi i dytë i ish diktatorit irakian Sadam Husein


Sot filloi gjyqi i dytë i ish diktatorit irakian Sadam Husein. Ai dhe 6 të pandehur të tjerë akuzohen për gjenocid dhe krime lufte lidhur me fushatën e tij kundër kurdëve afro 2 dekada më parë.

Ish udhëheqësi irakian mbajti një qëndrim sfidues në gjyqin që u hap në Bagdat, duke refuzuar të thoshte emrin e tij apo të thoshte nëse e pranon apo jo fajësinë.

Sadami dhe 6 të pandehurit e tjerë akuzohen për Operacionin Anfal, një fushatë ushtarake irakiane që shkaktoi vdekjen e mbi 180 mijë kurdëve në vitet 1987 dhe 1988. Masakra filloi pasi kurdët u akuzuan se po ndihmonin Iranin gjatë luftës Iran-Irak të viteve 1980.

Ndër të pandehurit është edhe Ali Hasan al-Majid, i cili u bë i njohur me nofkën “Aliu Kimik” pasi akuzohet se ka dhënë urdhër për sulmin me gaz kundër civilëve kurdë.

Sadami reagoi me zemërim gjatë procesit, kur prokurori tha se gra kurde ishin përdhunuar në burgje gjatë fushatës.

XS
SM
MD
LG