Lidhje

Astronomët provojnë ekzistencën e “lëndës së errët”

  • David McAlary

Astronomët thonë se kanë provuar ekzistencën e “lëndës së errët”, një formë e pakapëshme e materies që besohet se është shumë më e pranishme në gjithësi se sa lënda e zakonshme që ne shohim. Lënda e errët u diktua kur astronomët ishin duke vëzhguar përplasjen e dy sistemeve të mëdha galaktikash.

Deri tani, lënda e errët ishte thjesht një hipotezë. Ideja e ekzistencës së saj u hodh më shumë se 70 vjet më parë për të shpjeguar se përse disa galaktika që lëviznin në hapësirë me një shpejtësi tepër të madhe nuk arrinin të shpërbëheshin.

Shkencëtarët menduan se duhet të ekzistonte një formë e panjohur e lëndës e cila ushtronte një fuqi të tillë tërheqëse që nuk i lejonte këto sisteme galaktikash të shpërbëheshin. Por astronomi i Universitetit të Arizonës, Dagllas Klo, thotë se nocioni i lëndës së padukshme vazhdimisht i ka ngacmuar shkencëtarët.

"Astronomët prej shumë kohe kanë qenë në një pozitë paksa të vështirë sepse u është dashur t’i shpjegojnë vëzhgimet e tyre me anë të një diçkaje që ne nuk e dinim se ekzistonte."

Por tani gjërat kanë ndryshuar në sajë të punës që ky shkencëtar dhe kolegët e tij kanë bërë me teleskopin Çandra, një teleskop me rreze X i NASË-s që sillet në orbitë rreth Tokës. Ata kanë parë përplasjen e dy sistemeve gjigande galaktikash, e cila ka qenë aq e fuqishme saqë e ka shpërbërë si lëndën normale ashtu edhe lëndën e errët.

Kjo ua ka bërë të lehtë shkencëtarëve të zbulojnë lëndën e errët duke matur forcën e saj të rëndesës përveç rëndesës së lëndës normale dhe të dukshme në yjet dhe në gazet e nxehtë të galaktikave.

"Kjo na jep provën e parë të drejtpërdrejtë se lënda e errët duhet të ekzistojë dhe duhet të përbëjë pjesën më të madhe të lëndës në gjithësi."

Dy sistemet e galaktikave kaluan përmes njëra-tjetrës me një shpejtësi të paimagjinueshme: 16 milion kilometra në orë. Gjatë përplasjes, lëndët e ndritëshme, në formën e gazeve të nxehtë në të dy sistemet ndeshën në njëra-tjetrën dhe e ngdalësuan shpejtësinë. Por lënda e errët vazhdoi të lëvizë sepse ajo nuk ndërvepron me lëndën normale në të njëjtën mënyrë.

Shkencëtarët ishin në gjendje të demonstronin se lënda e errët ekzistonte sepse Teleskopi i Hapësirës Hubble si dhe teleskopët e tjerë të mëdhenj në Tokë qenë në gjendje të tregonin se forca e saj gjigante e rëndesës kishte devijuar dritën që vinte nga objektet e largët prapa saj. Ky shtrembërim i dritës, i cili formon të ashtuquajturën lente gravitacionale, i zmadhoi objektet, duke i bërë ata të dukeshin më të mëdhenj se sa do të kishin qenë po të mos ishte rëndesa e lëndës së errët.

Lajmi më i rëndësishëm në këtë rast është se kjo provoi njëherë e mirë se lënda e errët në fakt ekziston, thotë Shon Keroll, kozmolog në Universitetin e Çikagos, i cili nuk mori pjesë në vëzhgime. Ai thotë se laboratorët e fizikës së pjesëzave kudo në botë po përpiqen të kapin lëndën e errët në përpjekje për të përcaktuar vetitë e saj.

"Pra ekziston bindshëm një pjesëz e re që fizikanët mund ta gjejnë po ta kërkojnë. Ky është një lajm me rëndësi sepse ai u tregon teoricienëve se duhet të mendojnë për modelet e lëndës së errët si dhe eksperimentalistëve se çfarë duhet të bëjnë për ta gjetur këtë pjesëz."

Përpara këtij zbulimi, disa astronomë kishin propozuar një shpjegim tjetër për lëndën e errët. Ata thoshin se rëndesa e lëndës së zakonshme mund të ishte më e madhe në rastin e galaktikave të mëdha dhe të sistemeve të galaktikave.

Por Dagllas Klo thotë se zbulime reja tregojnë se forca e rëndesës është kudo e njëjtë.

"Nuk ka asnjë mënyrë për të shpjeguar rezultatet e këtyre vëzhgimeve pa ekzistencën e një burimi tjetër lënde, e cila përbën pjesën më të madhe të masës së këtij sistemi galaktikash." //ii

XS
SM
MD
LG