Lidhje

Ilaçet Statin edhe kundër goditjeve në tru; Vitamina B12 nuk ndihmon në përmirësimin e kujtesës


Ilaçet Statin edhe kundër goditjeve në tru

Goditja në tru hyn në grupin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe sipas studimit, pacientët që kanë pësuar goditje në tru mund të përfitojnë nga ilaçet e llojit Statin që përdoren për uljen e nivelit të kolesterinës.

Statistikat tregojnë se mesatarisht 35 përqind e pacientëve që kanë kaluar një goditje në tru pësojnë një tjetër goditje të ngjashme brenda pak vjetëve.

Gjatë studimit, që zgjati 5 vjet, u vu re se pacientët që merrnin doza të mëdha ilaçi Lipitor kishin më pak gjasa të prekeshin nga një tjetër goditje në tru.

Por Lipitori nuk i erdhi në ndihmë çdo pacienti: Në studim thuhet se vetëm 1 në 46 pacientë përfitoi nga ilaçi dhe nuk u prek nga një goditje e dytë. Megjithatë, ekspertët thonë se marrja e ilaçeve është me vlerë, po të kihen parasysh pasojat e rënda fizike të goditjes në tru dhe kostoja e lartë financiare e kujdesit mjekësor për këta të sëmurë.

Ilaçet statin veprojnë ndryshe nga ilaçet tradicionale kundër goditjes në tru të cilat ulin tensionin ose hollojnë gjakun. Vetëm në Shtetet e Bashkuara ka rreth 5 milionë vetë që vuajnë nga pasojat e goditjeve në tru.

Goditja në tru është shkaktar kryesor i vdekjeve. Goditja në tru ndodh kur një venë që furnizon trurin me gjak e oksigjen bllokohet ose çahet. Në këto raste, furnizimi i trurit me gjak e oksigjen ndërpritet dhe truri fillon të vdesë.

Vitamina B12 nuk ndihmon në permirësimin e kujtesës

Vitamina B-12 ndihmon për mbarëvajtjen e qelizave nervore. Shumë njerëz marrin vitaminë B-12 për të përmirësuar kujtesën, por një studim i ri lë të kuptohet se kjo vitaminë nuk krijon ndonjë nxitje të veprimtarisë së trurit.

Shumë vetë e marrin vitaminën natyrshëm nëpërmjet ushqimit. Vitamina B-12 hyn në organizëm nëpërmjet proteinave gjatë tretjes së ushqimeve të tilla si mish, peshk, vezë, e qumësht. Kur njeriu moshohet, edhe procesi i tretjes ngadalësohet, dhe në këto raste mjekët rekomandojnë vitamina shtesë që jepen në formë tabletash.

Shkencëtarët vëzhguan për 6 muaj një grup të moshuarish, burra e gra, që merrnin çdo ditë në formë tabletash vitaminë B-12, ose B-12 plus acid folik.

Pas 6 muajsh, shkencëtarët u befasuan kur nuk vunë re asnjë lloj përmirësimi në kujtesën, vemendjen e shpejtësinë e reflekseve në grupin e të moshuarve që merrnin vitamina çdo ditë. Megjithëse në fillim të studimit pjesmarrësit kishin nivel të ulët vitaminash në gjak dhe në përfundim të tij, niveli i vitaminave u rrit, në trurin e tyre nuk u vu re ndonjë shenjë nxitjeje e veprimtarisë.

Kjo i shtyn shkencëtarët të mendojnë se për të vënë re ndryshimin para dhe pas marrjes së vitaminave, studimi ndoshta duhet të zgjasë më shumë se 6 muaj, ose vitamina B-12 thjesht mund të mos jetë e lidhur drejtpërdrejtë me problemet e kujtesës.

Por nga ana tjetër, studimi rekomandon që marrja e vitaminave shtesë nuk duhet të ndërpritet. Marrja e përditëshme e vitamins B-12 është e rëndësishme për parandalimin e anemisë dhe problemeve neurologjike, veçanërisht për të moshuarit dhe gjithmonë me rekomandimin e mjekut.

XS
SM
MD
LG