Lidhje

Kryenegociatori ndërkombëtar për statusin Marti Ahtisaari viziton Kosovën


Kryenegociatori ndërkombëtar për statusin e Kosovës Marti Ahtisari, mbërriti të marten për një vizitë disa-ditëshe në Prishtinë. Zoti Ahtisari takohet të mërkurën në mëngjes me grupin negociator të Kosovës dhe udhëheqësit kryesorë vendas, presidentin dhe kryeministrin, ndërkohë që të enjten pritet të vizitojë Mitrovicën dhe pjesën veriore të Kosovës. Zoti Ahtisari nuk bëri komente për ecurinë e procesit kur mbërriti në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, por vetëm shpjegoi axhendën e vizitës së tij.

Grupi negociator i Kosovës së bashku me grupin politik dhe strategjik kanë përsëritur qëndrimet e mëparshme të Prishtinës për decentralizimin dhe të drejtat e komuniteteve.

Në lidhje me decentralizimin, sipas zëdhënësit të grupit negociator Skënder Hyseni, disa komunave të veçanta u janë përcaktuar kompetenca shtesë në fushat e shëndetsisë dhe arsimit, por në mënyrë taksative. Zoti Hyseni ka thënë se me kryenegociatorin Ahtisari, nuk pritet të hyhet në hollësi dhe se hollësitë janë diskutuar me ekspertët e tij.

Ka disa vija të kuqe në qëndrimin e Prishtinës lidhur me decentralizimin, të cilat sipas tij, nuk do të kalohen, siç është kundërshtimi ndaj bashkimit të pjesës veriore të Mitrovicës me Zvecanin në veri; ose në lidhje me numrin e zonave kadastrale. Komuna e Mitrovicës do të ketë arsimin e lartë si kompetencë shtesë, por në pajtim me legjislacionin qendror të Kosovës.

Ekspertët e zyrës së zotit Ahtisari kanë diskutuar me përfaqësuesit e Kosovës çështjen e të drejtave të komuniteteve. Përfaqësuesi i delegacionit të Kosovës Fatmir Limaj ka thënë se Prishtina ka paraqitur një sërë masash për garantimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve në Kosovë, si mekanizmi për mbrojtjen e interesave jetike, sistemi i votimit të dyfishtë për ligje që kanë të bëjnë me komunitetet, 10 vende të garantuara në parlament për ta, përdorimi i gjuhëve zyrtare. Mekanizimi për mbrojtjen e interesave jetike të pakicave do të parashihet në kushtetutën e re të Kosovës. Vota e dyfishtë në parlament do të thotë se për ligje të veçanta që kanë të bëjnë me pakicat do të duhet edhe shumica e votave të tyre.

I dërguari i Bashkimit Evropian për statusin e Kosovës, Stefan Lehne, po viziton Kosovën për të punuar me udhëheqësit vendas lidhur me aspektet ekonomike të procesit të statusit, në të cilin kryenegociatori Marti Ahtisari i ka kërkuar të punojë me autoritetet lokale, për të përgatitur elementë që mund të përfshihen në zgjidhjen përfundimtare të statusit.

Zoti Lehne tha se i ka inkurajuar udhëheqësit vendas që të vazhdojnë të punojnë për plotësimin e standarteve të vëna nga bashkësia ndërkombëtare dhe për të afruar pakicat.

XS
SM
MD
LG