Lidhje

Irani tha se është gati për “negociata serioze” lidhur me programin e tij bërthamor


Irani tha se është gati për ato që i cilësoi si “negociata serioze” lidhur me programin e tij bërthamor.

Dje Irani paraqiti përgjigjen zyrtare ndaj një plani të fuqive perëndimore që propozon stimuj nëse Teherani pezullon pasurimin e uraniumit. Përfaqësuesi iranian në këto bisedime, Ali Larixhani ua dorëzoi këtë përgjigje me shkrim përfaqësuesve të 5 vendeve anëtare të përherëshme të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermanisë në Teheran.

Hollësitë e përgjigjes ende nuk dihen, por zyrtarët iranianë thonë se janë të gatshëm të hyjnë në negociata serioze lidhur me çështjet bërthamore. Udhëheqësi i lartë i Iranit, Ajatollahu Ali Kamenei, tha të hënën se vendi i tij do të vazhdojë veprimtarinë bërthamore.

Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, John Bolton tha dje se Washingtoni do ta studjojë me kujdes përgjigjen zyrtare të Teheranit. Por ai shtoi se po qe që Irani këmbëngul në vazhdimin e programit të tij për pasurimin e uraniumit, Shtetet e Bashkuara do t’i kërkojnë Këshillit të Sigurimit të vendosë sanksione ekonomike ndaj Iranit.

Shtetet e Bashkuara dhe shumë prej aleatëve evropianë thonë se Irani synon të ndërtojë armë bërthamore. Irani i mohon kategorikisht këto akuza dhe insiston se programi i tij bërthamor ka thjeshtë për qëllim të prodhojë energji.

XS
SM
MD
LG