Lidhje

Rusia edhe Ukraina shpallin ditë zie për 170 viktimat e rrëzimit të një avioni pasagjerësh në Ukrainë


Si Rusia edhe Ukraina kanë shpallur ditë zie për 170 viktimat si pasojë e rrëzimit të një avioni pasagjerësh nga moti i keq në Ukrainën lindore.

Flamuri ukrainas do të ngrihet në gjysëm shtize sot. Veprimtaritë kulturore dhe sportive janë anulluar. Rusia do të mbajë ditë zie nesër.

Aeroplani i kompanisë Pulkovo me bazë në Shën Petersburg po fluturonte nga vendpushimi i Detit të Zi Anapa për në Shën Petersburg kur u zhduk nga radarët në hapësirën ajrore të Ukrainës.

Ekipet e shpëtimit kanë arritur në vendin e rrëzimin rreth 40 kilometra në veriperëndim të qytetit lindor industrial ukrainas të Donetskut, ku aeroplani u rrëzua për shkak të motit të keq dhe mori flakë.

Një zëdhënëse ruse për rastet e emergjencës, Irina Andriyanova, thotë se njoftimet e parë tregojnë se rrufetë mund të kenë qenë shkaku.

Në komentet e saj për televizionin rus zonja Andrijanova thotë gjithashtu se ministria e emergjencës planifikon të dërgojë hetues në vendin e rrëzimit si dhe psikologë e ndihmë mjekësore.

Zyrtarët e kompanisë ajrore Pulkovo kanë thënë se në aeroplan ishin rreth 40 fëmijë, gjashtë prej tyre dy vjeç apo më të vegjël.

Emisionet ruse të lajmeve të mbrëmjes transmetuan fotografi të mbeturimave të aeroplanit të hapura në fushë dhe u dhanë shikuesve një numër telefoni për ata që kërkojnë informacion rreth anëtarëve të familjes.

Ekuipazhi thuhet se ka dërguar një sinjal emergjence disa sekonda para se të zhdukej nga radarët. Zëdhënësi i ministrisë ukrainase të emergjencës, Igor Krol, thotë se ekuipazhi ishte përpjekur të bënte një ulje emergjence, por kishte dështuar.

Ky është rrëzimi i dytë i një aeroplani të madh rus brenda dy muajsh. Në korrik, 122 vetë humbën jetën kur një aeroplan i firmës Sibir u rrëzua pasi doli nga pista në Irkutsk.

Presidenti Vladimir Putin, i cili ka vazhduar punën nga vendpushimi i Detit të Zi në Sochi gjatë javës së fundit, u njoftua menjëherë. Zoti Putin e udhëzoi kryeministrin Mikhail Fradkov të krijonte një komision për të hetuar incidentin.

Aeroplani i rrëzuar dje ishte i tipit Tupolov 154, i cili konsiderohet si më i fuqishmi i flotës rajonale ruse.

XS
SM
MD
LG