Lidhje

Bisedime të vështira ndërmjet ndërmjetësuesve të OKB-së dhe Prishtinës zyrtare


I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari, doli pothuajse pa fjalë nga takimi i sotëm gati dy orësh me ekipin negociuesve të Prishtinës, duke lënë të dukshme përshtypjen se bisedimet ishin të rënda dhe pa rezultate. Ai tha shkurtazi se “bisedimet do të vazhdojnë”, ndërkaq që mikpritësit e tij përsëritën qëndrimin se nuk do të ketë lëvizje të dukshme nga pozicionet e shprehura deri tash ndaj decentralizimit të pushtetit në Kosovë.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se do të punohet edhe më tej me zotin Ahtisaari dhe Grupin e Kontaktit duke pasur parasysh posaçërisht parimet e këtij të fundit për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ai tha se bisedimet e sotme janë vazhdimësi e bisedimeve që janë zhvilluar në Vjenë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Natyrisht kemi shprehur qëndrimin për numrin e komunave fikse për të cilin nuk kemi qëndrim tjetër. Kemi qëndrimin tonë poashtu që këto komuna të kenë funksionalitetin e plotë në shërbim të qytetarëve të Kosovës duke pasur parasysh edhe mundësinë që ndonjërës nga komunat t’i shtohet ndonjë parcelë kadastrale”, tha presidenti Sejdiu.

Prishtina ka ofruar krijimin e 5 komunave të reja me shumicë serbe dhe zgjerimin e një komune ekzistuese, ndërsa Beogradi kërkon të paktën 12 të tilla. Zoti Ahtisari ka kërkuar më shumë lëshime, posaçërisht në fushën e përgjegjësive të komunave por edhe çështjes së përfaqësimit të pakicave kombëtare në Parlamentin e Kosovës. Menjëherë pas takimit me zotin Ahtisaari, ekipi i negociuesve është mbledhur me dyer të mbyllura për të diskutuar gjendjen e krijuar pas mospajtimeve që kanë përfshirë bisedimet.

Drejtuesi i listës serbe për Kosovën dhe Metohinë, Oiver Ivanoviq tha pas takimit me zotin Ahtisaari se decentralizimi duhet të siguroj mbetjen e serbëve në Kosovë.

“Është me shumë rëndësi që të krijohen komuna të reja, por është po aq e rëndësishme që përgjegjësitë që kanë komunat të mbulojnë tërë ato fusha për të cilat serbët janë të interesuar”, tha Oliver Ivanoviq.

Takime të reja pritet të zhvillohen ndërmjet zotit Ahtisaari dhe negociuesve të Prishtinës për të trajtuar cështjen e decentralizimit. Disa dhjetëra veprimtarë të lëvizjes Vetëvendosje, një lëvizje që kundërshton bisedimet për statusin e Kosovës janë arrestuar sot gjatë kohës sa po protestonin kundër bisedimeve që sipas tyre cojnë në copëtimin e Kosovës.

Sidoqoftë, zoti Ahtisaari synon që t’i japë fund procesit të bisedimeve për cështje të vecanta deri në pjesën e dytë të shtatorit kur pritet t’u raportojë Grupit të Kontaktit dhe Kombeve të Bashkuara për rrjedhën e procesit të bisedimeve dhe propzimit për zgjidhjen e statusit politikë të Kosovës.

XS
SM
MD
LG