Lidhje

Pas komplotit në Britani ngrihet çështja e kontrollit të pasagjerëve në bazë të racës dhe përkatësisë etnike


Komploti i fundit terrorist i zbuluar në Britani ka ngritur përsëri pyetjen në se personeli i sigurimit të aeroporteve duhet të fillojë të kontrollojë pasagjerët në bazë të racës apo përkatësisë fetare. Të paktën një ligjvënës amerikan ka bërë thirrje publike për procedura shtesë të kontrollit të njerëzve nga Lindja e Mesme apo Azia Qëndrore. Ky propozim ka ngjallur reagime të ashpra nga grupe të të drejtave civile.

Kontrolli i sigurisë është bërë më strikt në aeroportet amerikane. Bagazhet që merren në dorë kontrollohen me më shumë imtësi. Pasagjerët nuk lejohet të marrin artikuj të lëngshme në bord.

Masa e fundit u mor pas komplotit të zbuluar në Britani. Terroristët thuhet se po planifikonin të hidhnin në erë avionët me destinacion Shtetet e Bashkuara, që fluturonin mbi Oqeanin Atlantik duke përdorur eksplozivë të lëngët që do t’i merrnin në valixhet që mbahen në dorë.

Autoritetet britanike kanë ngritur zyrtarisht akuza ndaj 11 të dyshuarve për konspiracion. 23 persona u arrestuan, shumë prej të cilëve ishin myslimanë britanikë me origjinë nga Pakistani. Një ekstremist në Pakistan është midis atyre që ende kërkohen në lidhje me komplotin.

Arrestimet kanë bërë që të përsëriten thirrjet e disave për kontroll më të imtësishëm të pasagjerëve me origjinë nga Lindja e Mesme apo Azia Qendrore. Ligjvënësi republikan Peter King.

“Mendoj se ka ardhur koha ti japim fund korektesës politike. Për mua, në se një person është me origjinë nga Lindja e Mesme është legjitime që sigurimi t’i bëjë më shumë pyetje”.

Por grupe të të drejtave civile, si Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike në Washington i ka dënuar këto thirrje si përzgjedhje raciale. Arsalan Iftikhar është drejtori i këtij grupi.

“Që nga FBI-ja, departamenti i drejtësisë e deri tek forcat federale apo lokale të rendit, zyrtarët kanë thënë herë pas here se përzgjedhja raciale nuk është teknikë e efektshme për zbatimin e ligjit.”

Por sulmet terroriste si shpërthimet me bombë të vitit të kaluar në sistemin e metrosë së Londrës i kanë shtuar dyshimet, veçanërisht për faktin se personat përgjegjës ishin myslimanë me origjinë nga Azia Jugore. Për seleksionimin e udhëtarëve ka opinione të ndryshme.

Zyrtarët thonë se përzgjedhja në bazë të racës nuk praktikohet nga skanuesit në aeroporte. Ata përqendrohen tek sjellja e njerëzve për të përcaktuar nëse një pasagjer duhet të merret dhe të pyetet më shumë. Earl Morris është me Administratën për Sigurinë në Transport.

“Ne shohim për individë që janë nervozë apo që mashtrojnë. Vëmendja jonë nuk është e përqendruar tek raca, feja apo gjëra të kësaj natyre. Ne shikojmë njerëzit dhe sjelljet e tyre”.

Kjo metodë mund të jetë e efektshme. Por tani për tani udhëtarët janë në gjendje gadishmërie ndërsa përgjatiten të hyjnë në bordin e avionëve dhe të fillojnë fluturimin.

XS
SM
MD
LG