Lidhje

Prishtina nuk e ndryshon ofertën për decentralizimin megjithë kërkesat e kryenegociatorit të OKB-së


Prishtina zyrtare ka ngulur këmbë që të mos ndryshojë ofertën e saj për decentralizimin e pushtetit në Kosovë, megjithë kërkesat e kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari për më shumë lëshime në këtë cështje.

Kryenegociatori i OKB-së për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, i cili po vazhdon vizitën e tij 4-ditëshe në Kosovë, tha se u bëri thirrje shqiptarëve, që përbëjnë shumicën e popullsisë së vendit, t’i bëjnë lëshime të tjera popullsisë serbe në pakicë. Marti Ahtisari tha se përparimi në çështje të tilla, si decentralizimi, mund të çojë drejt përparimit në çështje të tjera.

Për dy ditë me radhë zoti Ahtisaari ka zhvilluar takime të gjata e të vështira me negociuesit e Prishtinës.

Ndonëse nuk ka pasur ndonjë përparim deri tani në bisedimet për këtë dhe çështje të tjera të veçanta, në fillim të muajit shtator pritet që Prishtina dhe Beogradi të takohen sërish në Vjenë të Austrisë për të vazhduar negociatat.

Pakica serbe në Kosovë kërkon krijimin e 14 komunave që të jenë nën kontrollin e tyre, ndërkohë që shqiptarët kanë ofruar krijimin e pesë komunave.

Zoti Ahtisari pranoi se nuk ka patur përparim të ndjeshëm për çështjen kryesore të bisedimeve mes udhëheqësve serbë dhe atyre të Kosovës, atë të statusit. Por ai njoftoi se ka patur përparim për çështje të tjera.

Shqiptarët këmbëngulin për pavarësinë e plotë të Kosovës, ndërsa Beogradi kërkon të ruajë të paktën një farë kontrolli mbi këtë territor.

XS
SM
MD
LG