Lidhje

Ahtisari: Të gjithë të bëjnë lëshime në bisedimet për statusin


Krye-negociatori ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, tha se janë shënuar përparime në bisedimet me ekipin e negociuesve të Prishtinës në çështjet e decentralizimit dhe të drejtave të pakicave kombëtare, por kërkoi më shumë lëshime nga të gjitha palët. Në një takim me gazetarë të premten pasdite në Prishtinë, ai tha se procesi i bisedimeve nënkupton krijimin e kushteve të tilla që të gjitha komunitetet mund të jetojnë me dinjitet në Kosovë, se askush nuk ka nevojë ta lëshojë Kosovën pas statusit dhe kushdo që dëshiron të kthehet, të ketë mundësi ta bëjë një gjë të tillë. “Për të përmbushur këtë synim dhe për të përmbyllur procesin e zgjidhjes së statusit, të gjitha palët përfshirë edhe Prishtinën duhet të bëjnë lëshime”.

Zoti Ahtisaari, duke nëvizuar se në të njëjtën kohë u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës të marrin pjesë në institucionet e vendit, tha se qëndrimet e Qendrës Bashkrenduese të Serbisë për Kosovën dhe ato të komunave veriore për të prerë lidhjet me institucionet e Kosovës do të krijojnë “vetëm vështirësi të reja për serbët e këtushëm”.

Ai tha se në përpjekje për të afruar qëndrimet e ndryshme të Prishtinës dhe Beogradit, ekipet e ekspertëve të tij do të shkojë në Beograd, ndërkohë që në fillim të shtatorit priten takime të reja ndërmjet të dyja palëve. Ai tha se më 31 gusht dhe 1 shtator do të takohet me grupin e Kontaktit në Vjenë dhe më 11 shtator në Sofje të Bullgarisë, ndërsa në pjesën e dytë të shtatorit do të raportojë para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Grupit të Kontaktit për rrjedhën e bisedimeve.

Po të premten zoti Ahtisaari i dha fund vizitës së tij në Kosovë, gjatë së cilës ka zhvilluar takime që janë cilësuar të vështira me ekipin e negociuesve të Prishtinës, të cilët kanë ngulur këmbë në ofertën e tyre për krijimin e pesë komunave të reja dhe zgjerimin e një komune ekzistuese, ndërkaq që Beogradi kërkon krijimin e 12 komunave të reja. Bisedimet kanë qenë mjaft të vështira edhe rreth disa çështjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave kombëtare. Zoti Ahtisaari tha se çështjet e vecanta do të debatohen ndarazi nga ato për vetë statusin e Kosovës, çështja e të cilit sipas tij duhet të përmbyllet deri në fund të këtij viti. //az//

XS
SM
MD
LG