Lidhje

Lugar: Shqipëria po përparon me standartet për anëtarësim në NATO


Kryetari i komisionit të jashtëm të Senatit Amerikan, senatori Riçërd Lugar deklaroi në Tiranë se Shqipëria po lufton me sukses korrupsionin, po ndjek reforma ekonomike që zhvillojnë vendin, dhe po përparon dukshëm me standartet për anëtarësim në NATO.

Senator Lugar i bëri komentet për shtypin në përfundim të vizitës dyditore në Shqipëri, ku u interesua nga afër për ecurinë e reformave politike, ekonomike dhe ushtarake të saj. "Qeveria dhe populli shqiptar e kanë vendosur integrimin në NATO si një çështje me prioritet të lartë dhe po punojnë për të përmbushur standartet e anëtarësimit në Aleancë.

Samiti i Rigës në vitin 2006 do të ketë në fokus çështjet që duhen ndërmarrë për të reformuar Naton për t'iu përgjigjur sfidave të reja si terrorizmi, shtete të paqëndrueshme dhe rreziku i përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.

"Ndërsa në samitin e vitit 2008 shpresojmë që aleanca do të marrë në vlerësim anëtarësimin e vendeve të reja dhe ne kemi shpresë që shqipëria të jetë në ato vende që do të marrë një ftesë për anëtarësim", tha senatori. "Ne vlerësojmë gadishmërinë e shqipërisë për të marrë pjesë dhe për të dërguar trupa në Irak, Afganistan dhe në Bosnje". "Forcat shqiptare kanë kontribuar në arritjen e objektivave të përbashkëta të luftës kundër terrorizmit dhe nxitjes së dëndrueshmërisë rajonale".

"Jam informuar, tha senatori Lugar, që Shqipëria po punon gjithashtu për të ndërtuar një njësi ushtarake si brigade e reagimit të shpejtë me aftësi për t'u dislokuar si pjesë e Natos. Kjo është një ide shumë e mirë për të patur një njësi të tillë që do të ishte përfituese për Naton".

Ne e përgëzojmë Shqipërinë për rolin e saj konstruktiv dhe zërin e qëndrimin e saj të moderuar në këtë rajon, tha senatori, veçanërisht në mbështetjen që i bën përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe kundërshtimin ndaj ekstremizmit".

Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm aspiratat e Shqipërisë për të plotësuar standartet që nevojiten për t'u bërë vend anëtar. Ne dëshirojmë të punojmë me Shqipërinë për të arritur sukses". "Ne, tha senatori amerikan, vlerësojmë gjithashtu përparimin e veçantë në asgjësimin e agjentëve kimikë të shkatërimit në masë. Ne vlerësojmë mundësinë për të punuar së bashku me Shqipërinë në Llogarinë e Mijëvjecarit. Dhe për këtë jemi të inkurajuar nga lufta e suksesshme kundër korrupsionit dhe përpjekjet për më shumë vende pune dhe pasurim të shqiptarëve".

Kryetari i Komisionit të jashtëm të Senatit Amerikan, senatori Riçërd Lugar u takua në Tiranë me zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar. Ai zhvilloi bisedime me presidentin e Shqipërisë, Alfred Moisiu, dhe me Kryeministrin Sali Berisha për reformat politike e ushtarake që po ndjek vendi me ambicje të mëdha për integrim në strukturat evro-atlantike. //az//

XS
SM
MD
LG