Lidhje

Klark:Në mungesë të kompromisit, statusi do të imponohet


Në shtator, ndërmjetësi ndërkombëtar në bisedimet për statusin e Kosovës, Martii Ahtisari pritet t’i raportojë Grupit të Kontaktit dhe Kombeve të Bashkuara mbi përparimin e bërë në procesin e deritanishëm të negociatave. Megjithatë, vizita e tij e fundit në Kosovë nuk arriti të sjellë ndonjë përparim të dukshëm drejt kompromisit, për çështjet ku u përqëndrua vizita: decentralizimi dhe kalimi i kompentencave në duart e pushtetit lokal. Nëse vazhdon kjo ngurtësi në negociata, thotë analisti i çështjeve politike pranë Institutit Cato, Xhonathan Klark, komuniteti ndërkombëtar do të imponojë së shpejti një zgjidhje që nuk do jetë e pëlqyeshme për asnjërën prej palëve.

Zëri i Amerikës: Zoti Klark, vizita që zhvilloi ndërmjetësi ndërkombëtar Ahtisaari në Kosovë ka nxjerrë edhe një herë në pah dallimet e thella mes qëndrimit të Beogradit dhe atij të Prishtinës lidhur me decentralizimin dhe kompentencat që duhet t’i kalojnë pushtet lokal. Çfarë duhet bërë, mendoni ju, që të pajtohen, ose të afrohen këto qëndrime?

Xhonathan Klark: Zoti Ahtisari është një ndërmjetës shumë i zoti, i cili ka shënuar një numër arritjesh të rëndësishme në karrierë. Pra, nëse ka njeri që mund të arrijë mbylljen e hendekut mes këtyre qëndrimeve, ai është njeriu i duhur. Mendoj se problemi qëndron në faktin që të dyja palët po ngurtësohen edhe më tepër në këto qëndrime të papajtueshme, dhe per sa kohë që ata i përmbahen këtyre parakushteve, nuk do të ketë mundësi për pajtimin e këtyre qëndrimeve. Në atë moment, zoti Ahtisari mund t’i rekomandojë komunitetit ndërkombëtar të paraqesin vetë zgjidhje, të cilat t’ua imponojnë palëve. Nëse Beogradi dhe Prishtina duan të shmangin një zgjidhje të imponuar, atëherë duhet ara të vijnë në bisedime me një qëndrim më praktik, dhe jo t’u përmbahen vetëm deklaratave fillestare.

Zëri i Amerikës: Në vizitat që zhvilluan, si kryeministri, edhe presidenti i Kosovës, ashtu edhe kryeministri i Serbisë në Shtetet e Bashkuara, Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs theksoi nevojën për më shumë elasticitet nga të dyja palët. Çfarë mund të bëjë Grupi i Kontaktit për t’i shtyrë palët drejt një kompromisi?

Xhonathan Klark: Shtetet e Bashkuara e kanë bërë vazhdimisht të qartë se nuk preferojnë t’u imponojnë palëve një zgjidhje dhe kanë theksuar se do të pranojnë një zgjidhje që është e pëlqyeshme për popullin e Kosovës dhe më gjerë, per rajonin. Megjithatë, komuniteti ndërkombëtar e konsideron gjendjen aktuale si të papranueshme dhe si rrjedhojë, brenda këtij viti do të marrë vendim, edhe nëse palët nuk bien dakord vetë; atëherë komuniteti ndërkombëtar do të paraqesë zgjidhjen e tij. Komuniteti ndërkombëtar është shumë i hapur ndaj çdo ideje të logjikshme nga secila palë, për shembull një formë pavarësie të shoqëruar me decentralizim të ndjeshëm për grupet e ndryshme etnike, të cilëve t’u jepen kompetenca të gjera për të drejtuar punët e tyre, në kuadër të një shteti të pavarur dhe të pandarë. Nëse asjëra palë nuk e pranon një zgjidhje të tillë, komuniteti ndërkombëtar do të paraqesë një zgjidhje, që unë mendoj se do të jetë e papëlqyeshme për të dyja palët.

Zëri i Amerikës: Kritikët e planeve të Beogradit, për të shtuar të paktën 12 komuna të reja me shumicë serbe, theksojnë se keto plane do të çonin në ekzistencën e strukturave paralele që do të minonin autoritetin e pushtetit qendror. Si i gjykoni këto shqetësime?

Xhonathan Klark: Mendoj se komuniteti ndërkombëtar synon të shmangë krijimin e dy shteteve brenda kufijve gjeografikë të Kosovës, apo krijimin e një shteti brenda një shteti. Megjithatë, komuniteti ndërkombëtar i merr shumë seriozisht interesat e pakicave dhe nuk duan që të ketë një valë të re dhune, prandaj edhe do të theksojnë se tepermi aspiratat legjitime të këtyre pakicave, për sa kohë që këto aspirata nuk bien ndesh me përpjekjet për krijimin e identitetit të përbashkët për Kosovën. Çdo plan që minon këtë identitet të përbashkët do të shihet me dyshim nga komuniteti ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: A është realiste të mendojmë se ky proces do të përfundojë me një zgjidhje brenda këtij viti?

Xhonathan Klark: Qoftë realiste apo jo, komuniteti ndërkombëtar i përmbahet këtij objektivi, pasi e konsideron Kosovën si një njësi jofunksionale, ndërkohë që palët po bëhen edhe më të ngurta në pozitat e tyre të papajtueshme. Komuniteti ndërkombëtar mendon se gjendja aktuale po i thellon edhe më tej dallimet mes palëve, prandaj edhe po e imponojnë këtë afat kohor. Ky është një afat artificial, i vendosur pa ndonjë faktor real, megjithatë, mendoj se komuniteti ndërkombëtar do të bëjë ç’është e mundur për ta bërë ate realitet.

XS
SM
MD
LG