Lidhje

Maqedoni: Parlamenti nuk arrin të miratojë qeverinë e re


Në Maqedoni parlamenti nuk arriti të miratojë mbrëmë qeverinë e re, pas mosmarrëveshjeve të pozitës dhe opozitës lidhur me diskutimet e deputëteve dhe debatin parlamentar. Kryetari i Parlamentit bëri thirrje për uljen e tensioneve dhe per votimin e qeverisë gjatë ditës së sotme.

Dje, kryeministri i ardhshëm Nikolla Gruevski u angazhua të punojë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për hyrje të shpejtë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

35 vjeçari Gruevski parashtroi programin e tij para ligjvënësve. Ai u angazhua të rrisë nivelin e rritjes ekonomike midis kufijëve 6 dhe 8 përqind. Ky është sa dyfishi i nivelit të tanishëm. Zoti Gruevski premtoi gjithashtu të luftojë korrupsionin, të forcojë zhvillimet demokratike dhe të përmirësojë marrëdhëniet ndër-etnike. Ai foli para votimit për konfirmimin e tij në parlament.

Përkrahës të dy partive që përfaqësojnë shqiptarët e Maqedonisë protestuan përpara parlamentit. Ata shprehën zemërim mbi vendimin e kryeministrit për t’i përjashtuar ato nga koalicioni.

Të dyja grupet fituan shumicën e votave të shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare të korrikut. Por zoti Gruevski zgjodhi një parti më të vogël rivale të shqiptarëve si partnere në koalicionin e tij. Shqiptarët përbëjnë rreth një të katërtën e popullatës prej 2 presje 1 milionëshe të Maqedonisë. //ii

XS
SM
MD
LG