Lidhje

Anan: Evropa do të kontribuojë gjysmën e forcës paqeruajtëse të OKB-së në Libanin jugor


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan thotë se Evropa ka rënë dakord të kontribuojë me pothuajse gjysmën e 15 mijë ushtarëve që nevojiten për forcën paqeruajtëse të OKB-së në Libanin jugor. Ai i bëri këto komente pas një takimi emergjence me Bashkimin Evropian në Bruksel.

Zoti Anan thotë se Evropa do të sigurojë pjesën kryesore të forcës paqeruajtëse dhe se ai është entuziast nga premtimet e marra gjatë takimit të Bashkimit Evropian.

“Më tepër se gjysma e forcës është premtuar gjatë këtij takimi sot. Jo vetëm këmbësori, por na kanë premtuar edhe forca detare dhe ajrore,” tha zoti Anan.

Sekretari i Përgjithshëm tha se Franca do të drejtojë forcën deri në shkurt të vitit të ardhshëm dhe pastaj komandën do ta marrë Italia. Franca ka premtuar dy mijë trupa ndërsa Italia tre mijë. Vendet e tjera të Bashkimit Evropian kanë bërë gjithashtu premtime për trupa.

Shtetet evropiane kërkojnë që misioni të jetë i përcaktuar qartë në mënyrë që trupat të mos përfundojnë mes zjarrit ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut. Në Libanin e jugut është tani në fuqi armëpushimi që erdhi pas më shumë se një muaj luftimesh të cilat shkaktuan vdekjen e mëse një mijë vetëve dhe krijuan dhjetëra mijëra refugjatë.

Evropa është treguar e kujdesshme ndaj premtimeve për forcat e saj në misionin e OKB-së për shkak të përvojave jo të mira që kanë patur trupat evropiane gjatë shërbimit nën mandatet e dobëta të OKB-së në Ruandë dhe Ballkan.

Forca e re e OKB-së do të punojë përkrah 15 mijë ushtarëve libanezë. Rreth 150 trupa franceze arritën dje në Libanin e jugut, por zyrtarët evropianë thonë se mund të duhen deri në tre muaj për t’i dislokuar të gjitha trupat në terren.

Kreu i Kombeve të Bashkuara tha se premtime ishin bërë edhe nga vende me shumicë myslimane si Malajzia, Indonezia dhe Bangladeshi për kontigjente në forcën e OKB-së. Por Izraeli thotë se vetëm vende që kanë marrëdhënie diplomatike me shtetin hebraik duhet të lejohen të kontribuojnë me trupa.//ii

XS
SM
MD
LG