Lidhje

Irani dhe sfidat e zbulimit amerikan


Në Shtetet e Bashkuara, një komision i Kongresit publikoi këto ditë një raport ku thotë se informacionet e zbulimit amerikan për programin bërthamor të Iranit janë shumë të paplota. Raporti kërkon përpjekje të bashkërenduara për të përmirësuar aftësitë e Shteteve të Bashkuara në mbledhjen e informacionit të këtij lloji. Shumica e ekspertëve të çështjeve iraniane janë dakord me tezën bazë që shtron raporti por disa prej tyre venë në pikëpyetje motivet që kanë shërbyer për hartimin e tij.

Raporti prej 29 faqesh i Komisionit të Dhomës për Zbulimin titullohet: "Njohja e Iranit si rrezik strategjik: Sfida e zbulimit amerikan." Ai përgjithëson dyshimet e vjetra të vendeve perëndimore rreth programit bërthamor iranian, duke përfshirë shqetësimet se Teherani po i fsheh përmasat e vërteta të veprimtarive të tij bërthamore dhe po punon për prodhimin e raketave të afta për të arritur deri në Evropë.

Në raport thuhet se në informacionet e Shteteve të Bashkuara rreth programeve bërthamore, biologjike dhe kimike të Iranit ka pasaktësi të mëdha. Aty thuhet se “Shtetet e Bashkuara duhet të grumbullojnë informacione zbulimi më të pasura dhe më cilësore rreth një numër çështjesh që lidhen me Iranin. Komuniteti i sigurimit kombëtar duhet verë në dispozicion personelin dhe fondet e nevojshme për të vlerësuar më mirë planet, aftësitë dhe synimet e Iranit”.

Që Shtetet e Bashkuara do të përfitonin nga informacionet më të sakta të zbulimit rreth ambicieve të Iranit, kjo nuk ka diskutim, thotë ish ndihmës zëvendës sekretari i shtetit për mospërhapjen e armëve, Mark Fitzpatrick, i cili tani punon për Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Stretegjike në Londër.

"Mendoj se do të ishte e dobishme nëse do të dihej më shumë. Do të ishte shumë mirë nëse do të kishte më tepër njerëz që do të merreshin me informacione zbulimi brenda Iranit."

Fitzpatrick ve në dukje se Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore ka paraqitur raporte të hollësishëm për programin bërthamor të Iranit dhe të paktën një pjesë e tyre janë pranuar haptas nga Teherani.

"Ajo që nuk dihet është nëse Irani ka një program të fshehtë bërthamor krahas atij civil. Ka shumë shenja që flasin për lidhje ushtarake me programin e tij bërthamor dhe do të ishte shumë mirë nëse do të dihej më tepër rreth këtyre lidhjeve ushtarake. Pra mund të themi me plot gojën se ajo që dihet deri tani është shumë e paplotë."

Nga ana tjetër, thotë Fitzpatrick, dihet shumë më tepër rreth programit bërthamor të Iranit se sa atij të Koresë së Veriut. Por ai shton se një pjesë e mirë e shqetësimeve rreth programit iranian janë ushqyer nga deklaratat e disidentëve iranianë që jetojnë jashtë vendit dhe që nuk mund të pranohen verbërisht si fakte.

Zyrtarë të tjerë amerikanë janë dakord me nevojën për informacione më të sakta zbulimi rreth Iranit. Gary Sick, i cili ka qenë zyrtar në Këshillin e Sigurimit Kombëtar në kohën e presidentëve Ford, Karter dhe Regan, thotë se nevoja është sidomos e mprehtë pas dështimeve me informacionet e zbulimit rreth programeve irakiane të armëve të shkatërrimit në masë në prag të ndërhyrjes në Irak në vitin 2003.

Por zoti Sick thotë se raporti i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për çështjet e zbulimit që u publikua kohët e fundit, është plot me pasaktësi, siç është përshembull deklarata e tij se "Irani aktualisht është duke pasuruar uranium në shkallën që mund të përdoret për armë bërthamore” në objektin bërthamor të Natanzit.

"Ky objekt aktualisht është nën inspektimin e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore dhe deri tani ka prodhuar ndoshta më pak se një gram uranium të pasuruar, por edhe kjo sasi nuk është e shkallës që mund të përdoret për armë bërthamore. Pra komisioni bën deklarata që nuk janë aspak të vërteta."

Megjithatë, zoti Sick shton se nuk ka diskutim që Irani mund të konsiderohet si kërcënim dhe se ekzistojnë arësye të shumta për të dyshuar rreth synimeve bërthamore të Teheranit. Sidoqoftë, ai ve në dukje se Komisioni i Dhomës nuk e përmend raportin e Agjencisë Ndërkombëtare që bazohet mbi inspektimet e kryera në Iran të cilat kanë zbuluar pak fakte të pakundërshtueshme se Irani ka synime bërthamore jo paqësore.

Ai thotë se shqetësohet se mos zyrtarët amerikanë po i bëjnë presion komunitetit të zbulimit që ai të nxjerrë informacione të cilat të përputhen me objektivat politike të Shteteve të Bashkuara, duke përsëritur në fakt dinamikën që çoi në supozimet e gabuara mbi armët irakiane të shkatërrimit në masë në vitin 2003.

Zëri i Amerikës kërkoi reagime nga Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për çështjet e Zbulimit si dhe nga zyrat e anëtarëve të Komisionit që i përkasin opozitës, por ata nuk i kthyen telefonatat.

Raporti i Komisionit përfundon se “komuniteti amerikan i zbulimit beson se Irani mund të ketë një armë bërthamore aty nga fillimi ose nga mesi i dekadës së ardhëshme. Por kjo do të varet nga shumë faktorë."//ii

XS
SM
MD
LG