Lidhje

Plagosen dy persona në Mitrovicë


Dy persona u plagosën sonte në mbrëmje në pjesën veriore të Mitrovicës, në një kafene, pasi një person i paidentifikuar hodhi një paisje shpërthyese në të. Një zëdhënës i policisë së UNMIK-ut në Mitrovicës i tha Zërit të Amerikës se policia ka filluar hetimet në vendin e ngjarjes.

Një shpërthim ndodhi sot në mbrëmje rreth orës 7 në pjesën veriore të Mitrovicës, duke lënë të paktën dy persona të plagosur. Zëdhënësi i policisë së UNMIK-ut në Mitrovicë Lari Miler, i tha Zërit të Amerikës, se shpërthimi kishte ndodhur në kafenenë e quajtur “Dolce Vita”. “Duket se dikush kaloi dhe hodhi një lloj paisje shpërthyese në kafene. Duket se dy persona janë plagosur dhe janë aktualisht në spital në pjesën veriore”. Zoti Miler tha se policia po përpiqet të bëjë një hetim. Zëdhënësi nuk mund të konfirmonte plotësisht nëse të plagosurit janë serbë. “Nuk kam ide, por mendoj se janë kështu”. Media serbe ka thënë se në këtë kafene ndodhej edhe një politikan i lartë serb i Kosovës, drejtuesi i listës serbe, Oliver Ivanoviç, i cili citohet ta ketë konsideruar këtë incident një katastrofë.

Zoti Ivanovic ka thënë gjithashtu se personi që ka hedhur bombën është afruar shumë qetë drejt kafenesë dhe ka hedhur paisjen shpërthyese. Ai ka thënë gjithashtu se këtë mund ta ketë bërë kushdo dhe se koha kur është hedhur bomba është koha kur në kafene ka shumë të rinj. Po sipas mediave serbe, disa qindra qytetarë janë mbledhur në afërsi të Urës së Lumit Ibër që ndan dy pjesët e qytetit serbe, njëra me shumicë serbe në veri dhe tjera me shumicë shqiptare në jug.

XS
SM
MD
LG