Lidhje

SHBA thirrje Sirisë e Iranit për të ndaluar furnizimet për Hezbollahun


Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje Sirisë dhe Iranit që të ndalojnë furnizimin e Hezbollahut me armë. John Bolton, ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet të punojë për të ndaluar furnizimet e paautorizuara në Liban, siç parashikohet në rezolutën 17-01 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ose për ndryshe do të ekzistojë rreziku për rifillimin e luftimeve në rajon.

Luftimet filluan në korrik kur terroristët e Hezbollahut që veprojnë në Libanin e Jugut, hynë në Izrael, vranë 8 ushtarë izraelitë dhe morën dy të tjerë peng. Izraeli u përgjegj duke sulmuar bazat e Hezbollahut në Liban. Gati 160 izraelitë dhe 1 mijë e 200 libanezë humbën jetën.

Rezoluta 17-01 e Këshillit të Sigurimit e Kombeve të Bashkuara bën thirrje për dhënien fund të veprimeve luftarake. Ajo autorizon një forcë të përkohshme të zgjeruar të Kombeve të Bashkuara në Liban, siç njihet ndryshe, UNIFIL, për të ndihmuar ushtrinë libaneze të marrë nën kontroll Libanin e Jugut, ndërkohë që Izraeli tërhiqet. Kjo rezolutë vë gjithashtu një embargo ndaj të gjitha armëve që hyjnë në Liban, përveç atyre që do të përdoren nga qeveria libaneze apo UNIFIL-i.

Të gjitha shtetet, thotë zoti Bolton, duhet të zbatojnë detyrimet e tyre për respektimin e kësaj embargoje, e cila, nëse nuk respektohet, do të rrisë ndjeshëm rrezikun për veprime të mëtejshme luftarake. Ai tha se barra e respektimit të embargos së armëve dhe vëmendja e botës, bien veçanërisht mbi Sirinë dhe Libanin.

Zoti Bolton thotë se, nëse bashkësia ndërkombëtare garanton vetëm një zgjidhje të përkohshme ndaj këtij problemi dhe e lejon Hezbollahun të armatoset përsëri, atëherë vuajtjet e popujve të Libanit dhe të Izraelit mund të shtohen në të ardhmen e afërt. “Ne duhet të përqendrohemi tek objektivi ynë: që përpjekjet e kombinuara të qeverisë së Libanit dhe UNIFIL-it në Libanin e jugut duhet të rezultojnë në krijimin e mundësisë që qeveria e Izraelit të jetë në gjendje të tërheqë forcat e saj”.

Mbështetja e Sirisë dhe e Iranit për Hezbollahun, thotë zoti Bolton, në formën e financimit, stërvitjes dhe furnizimit me armë, jo vetëm që e mban gjall krizën, por edhe e mbështet. Ai thotë se ndërprerja e furnizimeve, siç kërkohet nga rezoluta e Këshillit të Sigurimit, është çështje që nuk mund të injorohet më. //az//

XS
SM
MD
LG