Lidhje

Kushtet e motit mund të ndryshojnë planet e NASA-s


Agjencia amerikane e Hapësirës, NASA, po ndjek lëvizjen e një stuhie mbi Karaibe, për të parë nëse do të ndryshojë planet për lëshimin e anijes Atlantis drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës. Edhe nëse kushtet klimatike do ta bëjnë të mundur lëshimin, një stuhi e cila do të kërcënonte objektet e kontrollit në tokë mund ta detyronte NASA-n ta anulonte misionin, pra për pasojë edhe planin për zgjerimin e Stacionit të Hapësirës, hera e parë kjo në katër vjet.

Qendra amerikane e Uraganëve thotë se stuhia tropikale Ernesto e formuar dje mbi Karaibe mund të jetë uragani i parë i sezonit të këtij viti. Ndërkohë NASA thotë se ka 40 përqind mundësi që kushtet e papërshtatshme klimatike të shkaktojnë anulimin e lëshimit të anijes Atlantis.

Nëse Atlantis lëshohet sipas planit, 6 anëtarët e ekuipazhit do të ankorohen në Stacionin e Hapësirës dhe do të rifillojnë planin e zgjerimit pas 4 vjet vonese të shkaktuar nga katastrofa e anijes Kolumbia, në vitin 2003 dhe shtyrjes së mëpasme të fluturimeve në hapësirë.

Që nga ajo kohë ka patur 2 misione në hapësirë, por ato u realizuan vetëm për të provuar përmirësimet në masat e sigurimit të anijes. Në këtë fluturim Atlantis do të transportojë një bosht qëndror 17 tonësh, ku do të montohen 4 panele për energji diellore, të cilat do të përftojnë energji për laboratorët e kërkimit.

Por çfarë do të ndodhte nëse Atlantis arrin në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës dhe ndërkohë stuhia Ernesto shndërrohet në uragan duke e detyruar kontrollin e misionit të braktisë bazën e tij në Hjuston të Teksasit? Zyrtari i NASA-s, Leroi Kein, shpjegon se në këtë rast anijes Atlantis mund t’i kërkohet të kthehet në Tokë pa arritur të montojë pajisjet e reja në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

“Në këtë rast ne do të shkëputnim anijen Atlantis nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës, duke pritur përmirësimin e kushteve të motit për hyrjen e anijes në atmosferë dhe uljen në Tokë. Ne do të përpiqemi t’i përmbushim këto detyra me një mision tjetër, tha zoti Kein.”

NASA-s nuk i ka ndodhur asnjëherë më parë të braktisë qendrën e kontrollit të misionit si pasojë e motit. Qendra e kontrollit të misioneve nuk funksionoi shtatorin e kaluar për shkak të kushteve të krijuara nga uragani Rita, por në atë kohë nuk kishte asnjë anije të hapësirës në fluturim. Në një rast të tillë emergjence shumë gjëra do të vareshin nga programimi i tyre në kohë.

Menaxheri i programit amerikan të hapësirës, Majkëll Sufredini, thotë se do të donte që kushtet klimatike të mos keqësohen derisa të bëhen dy ecjet e para nga tre të planifikuara në hapësirë, për montimin e boshtit qëndror.

“Në fillim ne do të nxjerrim boshtin qendror në orbitë. Pas montimit të boshtit dhe paneleve, operacion i cili realizohet në fazën menjëherë pas ankorimit, atëhere çdo gjë do të jetë e sigurt kështu që Atlantis mund të kthehet menjëherë nëse do të jetë e nevojshme.”

Por nëse uragani do ta bëjë të pamundur arritjen e këtij qëllimi, kjo do të çojë në një shtyrje të dytë të planit për zgjerimin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës. NASA mezi pret rifillimin e punës sepse duhet ta përfundojë projektin e zgjerimit me 16 fluturimet e mbeturra para se flota e anijeve për vajtje-ardhje në hapësirë të nxirret jashtë përdorimit në vitin 2010.

Sufrendini thotë se boshti qëndror është një pjesë kryesore në sekuencën e montimit.

“Ky fluturim është kritik për ndërtimin e sistemit energjitik dhe atë të ftohjes në Stacionin Orbital Ndërkombëtar. Të gjitha fluturimet e ardhëshme do të varen nga lëshimi i anijes Atlantis.”//ii

XS
SM
MD
LG