Lidhje

Kosovë: Dënohet ashpër incidenti i Mitrovicës


Institucionet ndërkombëtare dhe ato vendase në Kosovë e kanë dënuar ashpër incidentin e së shtunës në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, i cili ka shtuar tensionet edhe ashtu të larta etnike në këtë qytet. Nëntë persona janë plagosur nga pasojat e një shpërthimi në një kafeteri në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, ndërsa policia po mban në arrest një 16 vjeçar. Autoritetet thonë se gjendja është nën kontroll, ndërsa u kanë bërë thirrje qytetarëve për qetësi dhe bashkëpunim me organet e rendit.

Në Kosovë kanë vazhduar reagimet ndaj incidentit të mbrëmshëm në qytetin e ndarë të Mitrovicës ku u plagosën nëntë persona nga pasojat e një shpërthimi në një kafeteri. Shtatë nga të plagosurit janë pjesëtarë të komunitetit serb, ndërsa dy janë shtetas të huaj nga të cilët njëri është shtetas britanik, pjesëtar i policisë së Kombeve të Bashkuara.

Një 16 vjeçar i përkatësisë kombëtare shqiptare është arrestuar si i dyshuar në lidhje me shpërthimin, i cili ndodhi pak metra nga ura kryesore mbi lumin Ibër që shënon edhe vijën ndarëse të qytetit në veriun e banuar me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare. Policia thotë se gjendja është nën kontroll, ndërsa ura vazhdon të mbahet e mbyllur, pas protestave të mbrëmshme të qindra pjesëtarëve të komunitetit serb. Udhëheqësit politikë të serbëve në veri thanë se qyteatrët e këtij komuniteti janë vetëorganizuar për t’u mbrojtur, ndërsa kërkuan që i arrestuari t’u dorëzohet organeve të gjyqësisë në Serbi.

Autoritetet serbe kanë reaguar ashpër duke akuzuar jo vetëm shqiptarët por edhe bashkësinë ndërkombëtare. Incidenti është dënuar rreptë edhe nga institucionet vendase dhe ato ndërkombëtare. Zëvendësshefi I Misionit të Kombeve të Bashkuara, Steven Schook, është shprehur “i tronditur dhe i zhgënjyer”, ndërsa ka nënvizuar se “është me rëndësi për qytetarët e Kosovës që të kuptojnë se aktet e pakuptimta të dhunës si ai I mbrëmshmi nuk u shërbejnë interesave të askujt dhe rrezikojnë të ardhmen e popullit të Kosovës”. Ai ka theksuar se të shtunën mbrëma Këshilli Kombëtar Serb e ka ndihmuar policinë e Kombeve të Bashkuara të mbajë situatën nën kontroll dhe të shtendosë gjendjen e krijuar. Incidenti është dënuar fuqishëm edhe nga zyra britanike, e cila ka nënvizuar se “dhuna e tillë nuk ka vend në Kosovë”. Në reagim thuhet se “ata që zgjedhin dhunën pounojnë kundër një të ardhmeje më të mirë për Kosovën”. Incidenti është dënuar edhe nga Qeveria e Kosovës e cila ka kërkuar nga organet e rendit dhe sigurisë që të ndriçojnë rastin dhe të sjellin fajtorët para drejtësisë, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve “që të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bien pre e provokimeve që vijnë nga ata që në Kosovë duan dhunë dhe vuajtje për të gjithë”.

Incidenti i mbrëmshëm pasoi vizitën disa ditëshe të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari në Kosovë në përpjekje për të shtyrë përpara procesin e bisedimeve për statusin e Kosovës që duhet të përmbyllet gjatë këtij viti. Afrimi i fundit të këtij procesi ka shtuar shqetësimet për tensione posacërisht në veriun e banuar nga pjesëtarët e komunitetit serb të cilët kundërshtojnë cdo formë të pavarësimit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG