Lidhje

NASA do të vendosë sot për anijen e hapësirës Atlantis


NASA do të vendosë sot nëse do ta lerë anijen e hapësirës Atlantis në shtratin e lëshimit ku ajo pret të niset, apo do ta kthejë atë në një ndërtesë të mbrojtur deri sa të afrohet koha e nisjes. Menaxherët e Nasës i tremben një stuhie tropikale të quajtur Ernesto, e cila po afrohet.

Nasa po e vëzhgon me kujdes afrimin e stuhisë tropikale Ernesto, e cila parashikohet që të godasë brigjet perëndimore të Floridës javën e ardhëshme.

Tani për tani, anija ndodhet në shtratin e lëshimit, e gatshme për nisjen që është planifikuar për nesër. Misioni i anijes është ankorimi në stacionin ndërkombëtar të hapësirës.

Por zyrtari i NASA-s, Bill Gerstenmajer, thotë se kontrollorët e misionit po studiojnë hapat që do të ndërmarrin: nëse do të lenë anijen Atlantis në shtratin e lëshimit apo do ta kthejnë atë në ndërtesën e montimit për ta ruajtur nga uragani.

“Këto janë dy rrugët e mundëshme për kushtet tona. Ekipi ynë po përpiqet të zgjedhë rrugën më të përshtatëshme për të ruajtur anijen Atlantis.”

Në qoftë se NASA nuk do të mund ta realizojë lëshimin këtë javë, ajo do të provojë përsëri javën e parë të shtatorit. Kjo do të kërkonte një marrëveshje me rusët, të cilëve do t’u duhet të shtyjnë lëshimin e kapsulës Sajuz, e cila do të çojë një ekuipazh zëvendësues në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Rusët janë të pakënaqur sidomos për faktin se një lëshim i anijes Atlantis pas 7 shtatorit, do të thotë që anija kozmike Sajuz me ekuipazhin që kthehet të detyrohet ta bëjë uljen në Tokë në mesnatë.

Zyrtarët e NASA-s janë në bisedime me agjencinë ruse të hapësirës.

“Çështja nuk ka të bëjë me mospranimin e rusëve, thotë zoti Gerstenmajer, por ne të gjithë si ekip i Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës do të vendosim për zgjidhjen më të përshtatshme.”

Zgjerimi i stacionit orbital të hapësirës ka qenë pezulluar që nga katastrofa e anijes Kolumbia në vitin 2003, ku gjetën vdekjen 7 astronautë, gjë që e pezulloi programin e anijeve shatëll.

Ky është fluturimi i parë nga 15 të planifikuar për anijen Atlantis, për të përfunduar ndërtimin e laboratorit shkencor orbital brenda vitit 2010, kur këto anije për vajtje-ardhje në hapësirë të nxirren nga përdorimi.

ERNESTO KERCENON

Sistemi atmosferik Ernesto është dobësuar duke u shndërruar nga uragan në një stuhi tropikale, por pritet që ai të forcohet përsëri pasi të kalojë Haitin, ku ka shkaktuar përmbytje dhe evakuime të detyruara.

Ernestoja pritej të shoqërohej me më shumë se 50 centimetra shi në disa pjesë të Haitit që rrezikohen nga rrëshqitjet e tokës. Kryeministri haitian, Zhak Eduar tha se paqeruajtësit e OKB-së janë mobilizuar dhe disa dhjetra familje janë evakuuar nga një zonë e përmbytur e kryeqytetit.

Autoritetet kubane kanë urdhëruar evakuimin e dhjetra mijë njerëzve para arritjes së pritëshme të Ernestos sot.

Meteorologët amerikanë parashikojnë që erërat të vazhdojnë të forcohen pasi stuhia të ketë kaluar Gjirin e Meksikës. Erërat e tanishme të stuhisë arrijnë në 85 kilometra në orë.//ii

XS
SM
MD
LG