Lidhje

Ende pa rezultate negociatat pozitë - opozitë për përgatitjen e zgjedhjeve vendore


Megjithë negociatat e ndërmjetësuara nga OSBE-ja dhe BE-ja, maxhoranca dhe opozita në Shqipëri ende nuk po gjejnë kompromisin për të bashkëpunuar në përgatitjen e zgjedhjeve vendore. Kryetarët e partive aleate të opozitës ritheksuan sot në vendosmërinë e tyre në zgjidhjen e tre cështjeve që kanë ngritur mbi lirinë e mediave, listat e votuesve dhe KQZ.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha pas takimit me kryetarët e partive aleate se edhe nga negociatorët e OSBE dhe BE tre kërkesat e opozitës janë cilësuar të rëndësishme dhe se ai e vlerësonte angazhimin e tyre në këtë proces.

"Por, kjo nuk do të thotë që ne të qëndrojmë në pozita pritëse apo të bëjmë ndonjë hap prapa përsa kohë nuk kemi asnjë rezultat konkret të pranuar si të tillë nga të gjitha palët. Ne kemi qenë, mbetemi dhe do të jemi gjithmonë të gatshëm që problemet t'i zgjidhim me dialog". - tha zoti Rama.

Ndërkaq maxhoranca e djathtë thotë se është e angazhuar thellësisht në këto negociata dhe beson se ato do të sjellin rezultate. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, deputeti Bujar Nishani, thotë se bisedimet nuk mund të kryhen nën presionin e parakushteve.

"Shpresojmë dhe dëshirojmë që opozita të hiqte dorë nga kushtet, pasi në negociata nuk mund të shkohet me parakushte, por të vazhdojë në tryezën e bisedimeve, të ofrojë kontributin dhe të ushtrojë përgjegjësitë e saj, asthu si maxhoranca." - tha zoti Nishani.

Pak ditë përpara hapjes së sesionit të ri parlamentar, kryetari i PS, Edi Rama, thotë nga ana tjetër se opozita nuk do të pranojë vendimet e seancës së fundit që janë marrë në parlament.

"Parlamenti ka bërë një votim tërësisht absurd në një mjedis tjetër. Për sa na takon ne; seanca vazhdon aty ku është ndërprerë." - tha zoti Rama.

Ndërsa përfaqësuesit e maxhorancës pohojnë se puna në parlament do të vazhdojë normalisht në sesionin e ri dhe se kontributi i opozitës për reformat është i mirëpritur.

"Opozita, ashtu si maxhoranca, si pjesë të rëndësishme të politikës dhe jetës parlamentare në vend, përvec ushtrimit të së drejtës së tyre, padyshim që ka edhe detyrimin e përmbushjes së përgjegjësive të tyre. Në fund të fundit, në rast se do të vazhdojë me mentalitetin e dhunës, të shkatërrimit, të pushtimit të institucioneve, gjithsesi kostot politike i mbeten kësaj opozite." - tha zoti Nishani.

Bisedimet mes pozitës dhe opozitës nuk po arrijnë të zbutin sadopak klimën politike në Tiranë, ku parlamenti rifillon punën pas disa ditësh dhe ku incidentet e fundit kanë lënë pas një situatë të brishtë politike.

XS
SM
MD
LG